Zgjim Hyseni i PSD-së kritikon Albin Kurtin: Po i ndryshon shpesh qëndrimet për Specialen

Aktivisti i Partisë Socialdemokrate, Zgjim Hyseni, ka akuzuar Albin Kurtin se shpesh po e ndërron pozicionin politik, varësisht nga interesat e momentit.

Këtë Hyseni e tha duke iu referuar deklarimit të kryetarit të Lëvizjes Vetëvendosje në lidhje me arrestimet e Gjykatës Speciale.

Në emisionin Info Magazine në Klan Kosova, Hyseni mes tjerash tha edhe se LVV lehtë do ta arsyetonte edhe ndonjë koalicion me PDK-në.

“Në Gjykatën Speciale gjykohet struktura e hierarkia e komandimit të UÇK-së. Tashmë është bëre publike emërimi si ndërmarrje e përbashkët kriminale. UÇK-në duhet me e mbrojt secili pavarësisht interesave të ditës, rrethanave e interesave të momentit, por kjo nuk ka ndodhur”.

“Gabim për këtë ka prej të gjitha anëve. Fillimisht partitë që e kanë votuar, PDK e LDK. Sot po vërejmë që Lëvizja Vetëvendosje, e cila më herët ka organizuar protesta kundër Gjykatës Speciale, po e ndërron qëndrimin tash e shumë shpesh”.

“S’e di nëse është bërë një vit që kur vet Kurti, i cili u deklarua dje pas dy javësh të publikimit të aktakuzave, atë statusin e famshëm ‘Hashim shko në Hagë’. Ai po shkon për periudhën e të bëmave në kohën e luftës së UÇK-së e porosia ishte ‘Hashim shko në Hagë”, e tash po thotë që UÇK-në duhet ta mbrojë shteti”.

“Këtu ka një dallim në pozicione dhe pyetja që duhet me e ngritë është se cili është Albini i vërtetë? Ai që e ka akuzuar UÇK-në e që ka kërkuar që për hir të interesave të tij të vazhdojë Gjykata Speciale duke thënë ‘Hashim shko në Hagë’, apo ai i ditës së djeshme që tha se UÇK është e popullit? Por Albini i vërtetë nuk është asnjëri, sepse Albini i vërtetë është Albini instrumentalizues që i ndërron mendimet varësisht prej interesave politike të momentit”.

“Nuk mundesh me e kuptu as VV-në e as liderin e saj pa e kuptuar ideologjinë e tyre, e cila lidhet me instrumentalizimin, se dikush që e ndërron pozicionin sa hap e mbyllë sytë dhe as nuk kuqet, pa pikë marre, se e vërteta për ta nuk lidhet as me faktet e diskutimin, por mbështetje e një domosdoshmërie historike ku kushte jemi vet ne”.

“Një pjesë e elektoratit të LVV-së që është mbledhur në kohën kur kjo parti e ka kundërshtuar Gjykatën Speciale, ky lloj elektorati por edhe pjesëtarë brenda subjektit mund të ndihen të papërfaqësuar dhe nuk janë rehat. Por, cila është ajo politikë e mendësi, e cila ta lejon ndryshimin e pozicionit kaq lehtë edhe të thonë se ‘në fakt nuk kam ndryshuar pozicion’”.

“Nëse e pyesni Vetëvendosjen, ata nuk thonë që kanë ndërruar qëndrim, por thonë se s’kanë qenë asnjëherë për Gjykatë Speciale”.

“Është mirë qe s’e kanë votuar Gjykatën Speciale atëherë, por në atë kohë është dashur ta bëjnë akuzën ndaj atyre që e kanë votuar. Këta ishin në gjendje ta japin edhe UÇK-në në emër të diskursit antikorrupsion. Ky është një lloj oportunizmi elektoral, por përtej kësaj është instrumentalizim me këtë çështje”.

“Nuk mund ta paramendoj se sa lehtë mund ta arsyetojnë ndonjë koalicion me AAK, LDK e PDK, se arsyetimin e kanë të lehtë”.

“Ne si PSD nuk do të bëjmë koalicion me asnjë subjekt politik në asnjë situatë. Pandemia na ka penguar në këtë drejtim, por jemi në përfundim të disa prej çështjeve kryesore. Për ne tash më e rëndësishme është formimi i pozicioneve dhe qëndrimet tona politike, që janë të reja, të bëhen sa më të kuptueshme”.