Zgjidhet misteri: Qeveria i dha leje Petkoviqit të hyjë në Kosovë

Qeveria e Kosovës ka pranuar se ka dhënë leje që drejtori i të ashtuquajturës zyrë për Kosovën në Qeverinë e Serbisë të hyjë sot në Kosovë për të qëndruar në një vizitë të planifikuar dyditore.

Zëdhënësja e Qeverisë, Antigona Baxhaku ka thënë për Express se leja është dhënë në koordinim me Ministrinë e Punëve të Jashtme.

“Ministria e Punëve të Jashtme në konsultim me Zyrën e Kryeministrit i kanë dhënë leje Petar Petkoviqit për të hyrë në Kosovë. Qeveria e respekton marrëveshjen e Brukselit në lidhje me vizitat e zyrtarëve serb, ku thuhet se secila kërkesë për vizitë duhet të konsultohet fillimisht e pastaj të merret vendimi”, ka thënë Baxhaku.

Por, nga kabineti i ministres Meliza Haradinaj-Stublla është cituar të kenë thënë se MPJD s’ishte e njoftuar për këtë vizitë.

Petkoviq sot dhe nesër do të jetë në veri të Kosovës, me ç’rast do t’i vizitojë komunat me shumicë serbe si Mitrovicën e Veriut dhe Zubin Potokun.

Siç njofton kjo zyrë, Petkoviq pasdite planifikon ta vizitojë edhe Bajën, një fshat me shumicë serbe në komunën e Skenderajt.

Kjo është vizita e parë e Petkoviqit në Kosovë që nga marrja e detyrës si drejtor në këtë zyrë duke pasuar Marko Gjuriqin. Ai fillimisht e ka vizituar Qendrën Shëndetësore në Mitrovicën e Veriut dhe laboratorin e sapondërtuar për testet PCR.

Tutje, sipas njoftimit, ai do ta mbajë një takim me kryetarin e sapozgjedhur të Mitrovicës së Veriut, Milan Radojeviq. Në takim është paraparë të marrin pjesë gjithashtu edhe kryetari i Listës Serbe, Goran Rakiq.

Është planifikuar gjithashtu që Petkoviq ta vizitojë edhe familjen shtatanëtarëshe Nedeljkoviq, së cilës Komuna e Mitrovicës së Veriut, me ndihmën e zyrës, i siguroi fonde për ndërtimin e shtëpisë.

Pasdite, Petkoviq do ta vizitojë manastirin e Bajës në Skenderaj, ku do të bisedojë me peshkopin Teodosije të Rashkës-Prizrenit. Ai gjithashtu do të vizitojë Kompleksin Shëndetësor dhe Turistik “Paradise Spa” në Bajë.

Ministrja e Punëve të Jashtme, Meliza Haradinaj-Stublla, më herët kishte thënë se nuk do të lejohej asnjë zyrtar shtetëror serb, duke përfshirë edhe presidentin serb Aleksandar Vuçiq të hyjë në Kosovë pa kërkuar falje për gjenocidin.