Zgjedhjet në veri më 19 maj, Haradinaj ka një porosi për serbët

Pas vendimit të presidentit të Kosovës Hashim Thaçi për shpalljen e zgjedhjeve në Komunat e Zubin Potok, Zveçan, Leposaviq dhe Mitrovicë e Veriut, kryeministri Ramush Haradinaj u ka bërë thirrje subjektet politike ta shfrytëzojnë të drejtën kushtetuese për të përfaqësuar interesat e qytetarëve, duke marrë pjesë në këto zgjedhje.

Ai po ashtu u ka bërë thirrje qytetarëve të këtyre komunave për të dalë në zgjedhje dhe të votojnë kandidatët më të mirë, që do të punojnë në të mirën e qytetarëve.

“Bëj thirrje për zgjedhje të lira dhe demokratike, bazuar në Kushtetutën dhe ligjet tona dhe standardet më të larta demokratike ndërkombëtare”, shkruan Haradinaj në Facebook.

Zgjedhjet për komunat në veri të Kosovës mbahen më 19 maj 2019 dhe ato mbahen pasi kohë më parë kryetarët e këtyre komunave të udhëhequra nga Lista Serbe, e afërt me Aleksandar Vuçiqin, president i Serbisë, dhanë dorëheqje.