Zëvendësministri Sallahu: Sistemi gjyqësor nuk mund të jetë peng i tekeve personale!

Zëvendësministri i Drejtësisë, Blerim Sallahu ka komentuar ndërhyrjet ndaj sistemit të drejtësisë.

Përmes një shkrimi në Facebook, ai ka thënë se sistemi gjyqësor i vendit nuk mund të jetë peng i individëve dhe “tekave” personale.

“Sot ishim përsëri dëshmitarë të një ndërhyrje eklatante ndaj sistemit të drejtësisë. Interesat e ngushta personale e grupore të cilat po shtyhen përpara, po e pamundësojnë zhvillimin e rregullt e të ligjshëm të seancave gjyqësore.

Ky është pengim i drejtësisë dhe cënim i drejtpërdrejtë i saj. Fatkeqësisht, palë në këtë proces të kundërligjshëm po bëhet edhe Oda e Avokatëve të Kosovës, që nuk po e zbaton vendimin e plotfuqishëm të Gjykatës dhe Vendimin e Qeverisë së Republikës së Kosovës të datës 23.12.2021, nr. 16/50. Me këto veprime, qartazi po shpërfaqet se pjesëtarë të caktuar të udhëheqësisë së Odës, janë të ndikuar” ka thënë ai.

Sallahu ka shtuar gjithashtu se ministria u është drejtuar institucioneve kompetente që trajtojnë rastet në bazë të kompetencave që posedojnë.

“Në përputhje me përgjegjësitë tona, si Ministri e Drejtësisë i jemi drejtuar institucioneve përgjegjëse që të trajtojnë në bazë të kompetencave që kanë, presionin e kryetarit dhe disa anëtarëve të kryesisë së Odës së Avokatëve të Kosovës, ndaj mbrojtësve të palës së akuzuar që caktohen ex-officio e që po pengohen në kryerjen e detyrave të tyre” ka shtuar zëvendësministri.

“Shteti nuk dorëzohet para askujt. Para asnjërit, kushdo qoftë!” ka përfunduar ai.