Të shumtë janë politikanët që po flasin këto ditë për anëtarësimin e Kosovës në Interpol, por shumë prej tyre nuk kanë “haber” as si janë procedurat e anëtarësimit apo çfarë përkrahje i është dhënë Kosovës, se lëre më të kenë dhënë vetë ndonjë kontribut më të madh.
Një prej këtyre është edhe vetë Zëvendësministri i Punëve të Brendshme, Isa Xhemajlaj, i cili duke u munduar të thotë diçka rreth Interpolit, ka treguar që nuk e dinë madje as kur votohet për anëtarësimin e Kosovës.
Zëvendësministri i Punëve të Brendshme, Isa Xhemajlaj, ka thënë se në bazë të përkrahjes që i është ofruar Kosovës deri më tani, anëtarësimi i Kosovës në INTERPOL është pothuajse punë e kryer.
“Pres dhe besoj fuqishëm që më 22 nëntor të vijnë lajme të mira dhe Kosova të bëhet pjesë e kësaj organizate”, ka thënë Xhemajlaj në RTV Dukagjini.
Faktikisht lajmet e mira apo të këqija për anëtarësimin e Kosovës në Interpol do të vijnë më 20 nëntor, jo më 22 nëntor, sepse më 20 nëntor votohet për kërkesën e Kosovës në Asamblenë e Përgjithshme të Organizatës Ndërkombëtare të Policisë Kriminale, e cila po i zhvillon punimet në Dubai të Emirateve të Bashkuara Arabe, transmeton Ballkani.info.
Kosova, për dallim prej herëve të tjera, këtë radhë i ka shumë gjasat e mira që të anëtarësohet në Interpol.
Sipas Kushtetutës së Interpolit, shtetet që aplikojnë për t’u bërë anëtare duhet të marrin 2/3 e votave të shteteve pjesëmarrëse në Asamble, që gjithsej i ka 192 shtete anëtare. Kjo është tentativa e tretë e Kosovës për të qenë pjesë e mekanizimit më të madh policor. Ndryshe këtë vit do të zgjidhet edhe presidenti i ri për mandatin aktual deri në vitin 2020. /Ballkani.info/







