Zëvendëskryeministri kosovar paralajmëron dorëheqje nëse prishen raportet me Amerikën

Zëvendëskryeministri i Kosovës, Enver Hoxhaj ka thënë se vendosja e taksës ka qenë e domosdoshme por tashmë afekti ekonomik është arritur.

Hoxhaj, në RTV Dukagjini, ka thënë se taksa ka stopuar fushatën e Serbisë në raport me Kosovën.

“Vuçiq ka premtuar para amerikanëve se ka ndaluar fushatën e tij për të tërhequr njohjet e Kosovës. Unë kam parë që kohët e fundit nuk janë bërë tërheqje të njohjeve”, tha ai.

Zëvendëskryetari i PDK-së ka thënë se është joserioze ajo që ka thënë Kryeministri se në fillim të vijë njohja e më pas të heqim taksën.

“Po të ishte taksa instrument se si të arrijmë deri te njohja, ne qysh në vitin 2008 kur kemi shpallë Pavarësinë, do të vendosnim taksën dhe do të prisnim njohjen”.

Zëvendëskryeministri i Kosovës ka thënë se është i gatshëm të japë dorëheqje nëse raportet me SHBA-në vendosen në pikën zero.

“Jap dorëheqje për shkak të përgjegjësisë” – ka thënë Hoxhaj .

“Taksa e ka lënduar raportin tonë me Amerikën sepse Amerika është e interesuar të përfundojë shtet-ndërtimin e Kosovës. Ne nuk i kemi vënë taksë Amerikën. Kur presidenti amerikan i shkruan dy letra një shteti të vogël siç është Kosova, ne nuk do të duhej të diskutonim nëse taksa duhet të hiqet, apo jo. Kam frikë se nëse BE kushtëzon të ardhmen e Serbisë, kjo nuk do të bëhet në pafundësi”, ka thënë tutje Hoxhaj.

Hoxhaj ka thënë se ka një frikë që bota në vitin 2020 do të jetë shumë më ndryshe.

“Ne nuk mundem në pafundësi që të krijojmë një situatë që të tjerët të na presin. Kam frikë se nëse bashkimi Evropian ka kushtëzuar të ardhmen e Serbisë përmes Kosovës, kjo nuk do të ndodhë në pafundësi”, tha ndër të tjera Enver Hoxhaj