Zëvendësja e kryeministrit Hoti e kap xhokerin e fshesën, pastron memorialin “Heroinat”

Zëvendëskryeministrja e Kosovës, Albulena Balaj-Halimaj, sot e ka pastruar memorialin “Heroinat” dhe  ka bërë thirrje për më shumë përkujdesje institucionale e shoqërore për monumente të tilla.

“Ditën sot e nisa duke pastruar memorialin “Heroinat”, pas raportimeve në media se ky memorial nuk po mirëmbahet. Ky memorial pasqyron sakrificën dhe kontributin e gruas së Kosovës në luftën për lirinë dhe pavarësinë e vendit”, ka shkruar zëvendëskryeministrja Balaj.

Ajo ka bërë thirrje për institucionet që memorialet të mirëmbahen më shumë.

“Iu bëj thirrje organeve përkatëse që monumentet si “Heroinat”, dhe tjerë që simbolizojnë sakrificën tonë për liri të kenë më shumë përkujdesje institucionale e shoqërore”, ka shkruar ajo në Facebook, ku postoi edhe disa fotografi nga kjo iniciativë.