Izmir Zeqiri

Zeqiri: Së shpejti do të vendosemi në zyrën e Komunës së Zubin Potokut

Kryetari i Zubin Potokut, Izmir Zeqiri, ka thënë se së shpejti do të vendosën në zyrën e komunës përkatëse.

Ndërsa, lidhur me Ditën e Pavarësisë së Kosovës, Zeqiri në emisionin “FIVE” në RTV Dukagjini, ka thënë se kjo festë në këtë qytet është festuar pjesërisht.

“Nuk kishte ndonjë festim të zgjeruar për shkak se këtu banorët, diku 80 për qind janë serbë”, ka thënë Zeqiri, duke shtuar se si kabinet i komunës nuk kanë paraparë ndonjë aktivitet, i cili mund të ishte vështirë i pranueshëm nga shumica e qytetarëve.

Zeqiri është shprehur se janë duke punuar dhe se janë në hapa të mirë dhe të sigurtë.

“Punët po shkojnë mirë, ka një ndryshim të madh nga fillimi deri këtu ku jemi siç janë mospranueshmëria e veprimeve të grupeve terroriste që përpiqeshin të pengonin funksionimin e Republikës së Kosovës, duke u atakuar edhe me organet e vendit. Mirëpo që nga tetori i vitit të kaluar ka ndryshuar më të madhe”, ka shtuar ai.

Ai ka bërë të ditur se tashmë është formuar një mirëkuptim mes qytetarëve. Mes të tjerash, Zeqiri ka theksuar se janë duke punuar në vazhdimësi që t’i shtojnë edhe dikasteret tjera në këtë komunë.

VIDEO BONUS: Digjet shtëpia e pleqve në Prishtinë