Zeqë Malaj ka njoftuar se ka marrë miratimin e Degës së AAK-së në Deçan për të qenë kandidat për deputet në zgjedhjet parlamentare të 28 dhjetorit. Ai do të garojë nga radhët e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, në listën e përbërë nga 110 kandidatë.

Në njoftimin e tij publik, Malaj e ka cilësuar si privilegj të veçantë përfshirjen në listën zgjedhore të partisë, duke theksuar se kandidatura e tij është rezultat i angazhimit dhe punës së vazhdueshme brenda Aleancës.

“Rruga që më ka sjellë deri këtu është ndërtuar nga puna e pandalshme, angazhimi i sinqertë, përfaqësimi me përgjegjësi dhe aktiviteti i vazhdueshëm,” ka deklaruar Malaj, duke shtuar se mbi të gjitha e ka udhëhequr vullneti dhe dashuria për qytetarët dhe për AAK-në.

Ai ka falënderuar strukturat e partisë për besimin e dhënë dhe ka theksuar se ky përkrahje për të është një motivim shtesë për të vazhduar punën me edhe më shumë përkushtim.

“Së bashku do të punojmë për një të ardhme më të mirë, për një Kosovë me më shumë zhvillim, dinjitet dhe perspektivë,” u shpreh Malaj, duke u zotuar për angazhim të plotë gjatë këtij procesi zgjedhor.

Malaj u ka dërguar falënderim edhe qytetarëve dhe aktivistëve të Aleancës për mbështetjen e vazhdueshme. “Aleanca është forca jonë,” ka përfunduar ai në deklaratën e tij.