Sulmuesi kosovar

Zenelit i trefishohet vlera në tregun e transferimeve

Arbër Zeneli është bërë futbollisti thuajse më i kërkuar shqiptar në afatin kalimtar të janarit.

Kartoni i tij vlerësohet rreth 6 milionë euro. Kurse, vetëm tre vjet më parë çmimi i tij sillej rreth 1.5 milion euro.

Reprezentuesi i Kosovës, Arbër Zeneli, është bërë thuajse futbollisti më i kërkuar shqiptar në tregun evropian të lojtarëve. Klubi i tij holandez, SC Heerenveen, secilën herë po shkon drejt dorëzimit karshi insistimit të disa klubeve tjera të huaja për ta transferuar mesfushorin me tipare sulmuese.

Kështu, ka shumë mundësi që ylli kosovar ta ndërrojë skuadrën gjatë afatit kalimtar të dimrit.

Futbollisti më i mirë i vitit 2018 i shpallur nga Federata e Futbollit e Kosovës para vetes i ka disa mundësi për të ndërruar mjedis, por Italia dhe Turqia shihen si destinacionet më të mundshme, prej nga Zeneli ka marrë tashmë oferta serioze, që vështirë se mund të refuzohen edhe nga klubi i tij holandez.

Ende nuk janë zbuluar shumat financiare të klubeve ofertuese, mirëpo Zeneli tashmë është bërë një futbollist i shtrenjtë. Golat, e sidomos asistimet e tij, kanë bërë që çmimi i kartonit të 23-vjeçarit të shkojë deri në 6 milionë euro. Këso shifra Zenelit i ka vendosur uebfaqja e specializuar e futbollistëve, “Transfermarkt”.

Para tri vitesh Zeneli kushtonte vetëm 1.5 milion euro. Kurse, fiks një vit më parë kartoni i tij vlerësohej rreth 4 milionë euro, kurse viti 2019 i solli vlerë prej 6 milionë eurosh, e cila shumë shpejt mund të shënojë tjetër rritje.

Mundësinë e transferimit jashtë Holandës nuk e kishte përjashtuar as vet Zeneli para pak javësh kur ishte në Prishtinë për ta marrë “kurorën e mbretit” nga Federata e Futbollit e Kosovës.