Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë kanë konfirmuar se vizita e ish-kryetarit të Kuvendit, Jakup Krasniqi, në Kosovë është autorizuar për arsye humanitare.

Sipas zëdhënësit të kësaj gjykate, Michael Doyle, Trupi Gjykues ka udhëzuar Zyrën e Regjistrimit që të organizojë vizitën e Krasniqit në Kosovë.

Doyle ka bërë të ditur se kjo është vizita e 15-të e një të paraburgosuri në Kosovë, e autorizuar nga gjyqtarët e Dhomave të Specializuara për arsye humanitare.

“Për shkak të arsyeve bindëse humanitare, Trupi Gjykues i ka udhëzuar Sekretariatin të menaxhojë një vizitë paraburgimi në Kosovë për Jakup Krasniqin.Kjo është vizita e 15-të e tillë nga një i paraburgosur në Kosovë, e urdhëruar nga gjyqtarët e Dhomave të Specializuara për arsye humanitare dhe e menaxhuar nga gjykata deri më sot.Vizita të tilla paraburgimi jepen sipas Rregullës 56 të Rregullores së Procedurës dhe Provave të DHSK-së, të cilat u miratuan nga gjyqtarët dhe bazohen në ligjin ndërkombëtar për të drejtat e njeriut, duke përfshirë Nenin 5 të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut dhe Rregullat Minimale Standarde të Kombeve të Bashkuara për Trajtimin e të Burgosurve”, ka deklaruar Doyle.

Ai ka sqaruar se kërkesat për vizita të tilla shqyrtohen nga gjyqtari ose gjyqtarët përgjegjës për rastin, të cilët vlerësojnë rrethanat konkrete, urgjencën dhe ndjeshmërinë e situatës.

“Kur një i paraburgosur bën një kërkesë të kësaj natyre, gjyqtari ose gjyqtarët që merren me çështjen vlerësojnë të gjitha rrethanat në kohën kur është bërë kërkesa me urgjencën dhe dhembshurinë që kërkojnë situata të tilla. Ata vendosin bazuar në kuadrin ligjor të DHSK-së dhe standardet ndërkombëtare të të drejtave të njeriut”, ka deklaruar Doyle.

Megjithatë, zëdhënësi nuk ka dhënë detaje të mëtejshme lidhur me rrethanat konkrete humanitare që kanë çuar në autorizimin e vizitës së Krasniqit.