Atdhetari i shquar Hektor Beqiri ka bërë një thirrje të fuqishme publike për mobilizim qytetar më 17 Shkurt, në Ditën e Pavarësisë së Kosovës, duke ftuar qytetarët të mblidhen në Prishtinë për të kërkuar drejtësi dhe për të nderuar sakrificën e çlirimtarëve.

Në një mesazh të ngarkuar me ndjenjë kombëtare, Beqiri thekson se 17 Shkurti nuk është vetëm një datë historike, por dita kur “zemrat tona rrahin si një” për ata që dhanë gjithçka për lirinë, dinjitetin dhe të ardhmen e Kosovës. Ai veçon veçanërisht momentin aktual, kur procesi gjyqësor ndaj ish-krerëve të UÇK-së në Hagë po shkon drejt përfundimit, duke e cilësuar këtë periudhë si vendimtare për të ngritur zërin për drejtësi.

“Historia jonë nuk mund të shkruhet pa sakrificën e tyre, pa dhimbjen e familjeve që qëndruan stoikisht dhe pa idealin e lirisë që na bashkoi të gjithëve,” thekson Beqiri, duke shtuar se protesta e paralajmëruar është një thirrje për të vërtetën historike dhe një reagim i fuqishëm kundër padrejtësisë.

Ai u bën thirrje qytetarëve që të dalin paqësisht, me krenari dhe unitet, për të dëshmuar se populli i Kosovës nuk harron, nuk përçahet dhe nuk ndalet në kërkimin e drejtësisë. Sipas tij, prania e secilit qytetar më 17 Shkurt përbën një mesazh të qartë mirënjohjeje dhe bashkimi kombëtar.

“Më 17 Shkurt, të jemi bashkë – sepse sakrifica nuk harrohet, sepse e vërteta nuk zbehet dhe e ardhmja duhet të na bashkojë për atdheun tonë,” përfundon mesazhin e tij Hektor Beqiri.