Zemaj thotë se Qeveria po vazhdon ofendimin me lëmoshë ndaj mantelbardhëve

Ish ministri i Shëndetësisë, tashmë deputet i Kuvendit të Kosovës nga radhët e LDK-së, Armend Zemaj, ka reaguar pasi Qeveria ka miratuar ndarjen e mjeteve shtesë për dy muaj për punëtorët shëndetësorë.

Zemaj ka thënë se dinjitetit i mantelbardhëve nuk shitet e as nuk blihet.

“Qeveria vazhdon ofendimin me lëmoshë ndaj mantelbardhëve, respektivisht heronjve të kohës, të cilët me vetëmohim po vazhdojnë luftën me armikun global Covid-19”, ka shkruar ndër të tjera Zemaj.

Postimi i plotë i Armend Zemajt:

Dinjiteti i mantelbardhëve – heronjve tanë, as nuk shitet e as nuk blihet.

Qeveria vazhdon ofendimin me lëmoshë ndaj mantelbardhëve, respektivisht heronjve të kohës, të cilët me vetëmohim po vazhdojnë luftën me armikun global Covid-19.

Pra, kjo qeveri e dëshmoi edhe një herë mungesën e dijes dhe vullnetit për përkrahje të merituar të stafit shëndetësor në vend, duke vazhduar ofendimin me lëmosh të caktuar në emër të shtesës prej 10 për qind.