ARMEND ZEMAJ

Zemaj: Rezoluta kundër Thaçit do të dalë përsëri në votim

Rezoluta e propozuar nga Lidhja Demokratike e Kosovës për ta ndaluar presidentin e vendit Hashim Thaçi që të diskutojë me Serbinë për kufijtë e Kosovës do të hedhet në votim përsëri ani pse sot nuk i mori votat e mjaftueshme për miratim.

Deputeti i LDK-së, Armend Zemaj sot në “Click” në RTV21 deklaroi se rezoluta e propozuar nga ky subjekt politik nuk është rrëzuar andaj ai tha se do ta sjellin në rivotim.

“Rezoluta nuk e ka marrë shumicën sepse po të duhej të rrëzohej duhej të merrnin pjesë në votim 61 deputetë dhe mos t’i kishte votat e mjaftueshme. Kjo është akoma në procedurë sipas rregullores së punës së Kuvendit…Ne do të kërkojmë që pavarësisht votimit të sotëm të hedhet prapë në votim”, tha ai duke shtuar se deri atëherë sa nuk e merr vota kundër nga pjesa tjetër atëherë kjo rezolutë konsiderohet e rrëzuar.

Mirëpo ai nuk dha një afat kohor kur do rezoluta do të dalë në rivotim. Për mungesë të vendimmarrjes as sot nuk u miratua rezoluta e opozitës me të cilën i ndalohet presidentit të diskutojë për kufijtë dhe territorin në dialogun me Serbinë.

Edhe pse në sallë ishin të pranishëm 91 deputet në votim morën pjesë vetëm 50 prej tyre, dhe të gjithë votuan për.