Ish-ministri i shëndetësisë, Armed Zemaj i ka quajtur lojëra elektorale masat antiCOVID të marra nga Qeveria e Kosovës.

Zemaj në emisionin “Direkt” në ATV tha se Qeveria “Kurti 2” vëmendjen e ka tek zgjedhjet lokale e jo tek shëndeti i qytetarëve.

 “Kjo është lojë elektorale, këta rendin dhe vëmendjen e kanë të zgjedhjet nuk e kanë te shëndeti publik. Kjo masë është masë në panikë, e pa analizuar sepse në njërën anë e kërkojnë vaksinimin, për këtë arsye ne kemi dhanë edhe kritika sepse nuk ka pas menaxhim të duhur”,– u shpreh ai.

Sipas tij, Qeverisë së udhëhequr nga Albin Kurti, i ka dalë nga kontrolli menaxhimi i pandemisë pasi që vetëm sot janë regjistruar 1 mijë e nëntë raste me koronavirus.

Tutje, Zemaj tha se janë larguar profesionistët nga qendrat e vaksinimit vetëm për inate politike.

“Janë larguar njerëzit kompetent, profesionistët janë larguar edhe nga menaxhimi me vaksina, ata të cilët e kanë udhëhequr procesin e ardhjes dhe marrjes së vaksinës vetëm për inate politike, vetëm pse kanë qenë punëtorë ose janë angazhuar në vitin e kaluar gjatë menaxhimi të pandemisë,” shtoi tutje Zemaj.