Zemaj njofton për një donacion të madh, 100 mijë teste në vlerë 1.5 milionë euro i vijnë Kosovës

Ministri i Shëndetësisë, Armend Zemaj ka njoftuar se Ministria e Shëndetësisë sot ka pranuar një donacion me 100 mijë teste.

Zemaj ka thënë se këto teste vijnë nga Fondacioni për Shoqëri të Hapur dhe se vlera e tyre është 1.5 milionë euro.

Zemaj ka kërkuar nga qytetarët që të vazhdojnë të jenë të kujdesshëm dhe të respektojnë masat në mënyrë që të mos ketë nevojë për shtrëngim të tyre.

Postimi i plotë:

100.000 teste PCR i vijnë Kosovës nga Fondacioni për Shoqëri të Hapur. Procedurat e filluara në shtator, me donacionin e 1.5 milion eurove po realizohet sot.

Donacioni është kontribut i çmueshëm në rritjen e fuqisë testuese për diagnostikimin e infeksionit Covid-19 në Kosovë, për çka e falënderoj z. Luan Shllaku, drejtor ekzekutiv i Fondacionit për Shoqëri të Hapur (KFOS) si dhe kryeministrin z. Avdullah Hoti, për angazhimin e pakursyer për dhe rreth këtij donacioni duke e iniciuar dhe realizuar atë.

Këto teste por edhe të tjerat që janë, dhe që do të vijnë tutje, i dedikohen çdo qytetari të Republikës së Kosovës, në tërë territorin e vendit.

Ndërkaq, ne në vazhdimësi jemi duke i koordinuar aktivitetet me donatorët e ndryshëm.

Kosova është falënderuese ndaj çdo donacioni që merr nga partnerët ndërkombëtar.