Zemaj: Nëse deri në tetor nuk vijnë mbi 600 mijë vaksina, fundviti do të jetë katastrofal

Ish-ministri i Shëndetësisë dhe deputeti Armend Zemaj, e ka kritikuar qeverinë “Kurti”, për program të mangët qeverisës në fushën e shëndetësisë.

Ai ka thënë se deputetëve në Kuvend u ka ardhur vetëm një faqe jo e plotë program për këtë sektor.

“Atë të cilin e zëvendësova unë. Kjo është në vazhdën e asaj që kemi pritur që kjo qeveri duke trumbetuar se do të sjell ndryshim,, e ka marrë një votë goxha kualitative dhe kemi pritur që do të përballemi me një program qeveritar që do të na jepte hapësirë për sugjerime. Neve na erdhi vetëm një faqe program për shëndetësi dhe ajo jo e plotë. Një qeveri që proklamon se shëndetësia do të jetë prioritet me një faqe, ku ka më shumë referime që lexohen në literaturat e përditshme nuk na e ka dhënë mundësinë që të ballafaqohemi me kritika. ”, deklaroi Zemaj.

Lidhur me raportimin e ministrit të Shëndetësisë, Arben Vitia në Komisionin për Shëndetësi, Zemaj tha se sa ishte ai ministër në komision e pyesnin vetëm për qeverinë jolegjitime dhe për prapavijën e tij të shkollimit.

Unë e kam marr mandatin dhe pas 3-4 ditësh më ka ardhur ftesa për të raportuar në Komisionin për Shëndetësi. Kam pasur çdo të dytën javë për të raportuar në komision. Nuk u ftova për të raportuar për shëndetësinë por për atë se si është qeveria jolegjitime, si jam një ministër me juridik dhe debat joproduktiv”, ka thënë ai.

Deputeti Zemaj, vlerësoi se ministri aktual i Shëndetësisë, Vitia nuk është duke e pasur vëmendjen tek të gjitha institucionet shëndetësore.  

“Jo vetëm me pandeminë, por ka edhe shumë institucione tjera që duhet ta kenë vëmendjen e ministrisë. Këtë nuk e pamë. E pamë që gjithë kohën ministri të Shëndetësisë kishte tendencë  të ankesës në procedura. Një ministër që e ka pushtetin absolut dhe e ka realizon me qeverinë dhe e Kuvendin që të kalojë çdo ligj, merrej me qeverinë paraprake. Ne nuk kemi parë vendime të reja, as për buxhetin, nuk kemi parë kërkesa as për pandeminë, as për shtimin e kapaciteteve, as për shtimin e kapaciteteve testuese”, deklaroi Zemaj, në T7.

Ndër të tjera, Zemaj theksoi se në rast se deri në tetor nuk vijnë mbi 600 mijë vaksina që janë blerë nga Pfizer, fundi i vitit sipas tij do të jetë katastrofal.

“Sot kemi kërkuar transparencë sipas ligjit dhe obligimit kushtetues që e kanë një ministër. Përveç premtimit se deri në fund të vitit do të vaksinohet 60% e popullatës nuk kishin asnjë informacion shtesë. Fundi i vitit do të jetë katastrofal nëse vaksinat deri në 600 mijë do të vijnë në tetor. Nëse vijnë më herët është gëzim për ne”, tha ai.