Ministri i Shëndetësisë, Armend Zemaj, thotë se Kosova është në mesin e 92 vendeve që do të marrin vaksinën anti-Covid për 20 për qind të popullsisë. Pjesën tjetër, Zemaj thotë se shteti do ta blejë vetë. Në një intervistë për Express, ministri ka folur edhe për ankesat e qytetarëve të cilët thonë se po detyrohen t’i blejnë vetë ilaçet për trajtimin e koronavirusit

Zemaj ka deklaruar se me rritjen e numrit të testimeve, është rritur edhe kërkesa për teste shtesë. Për këtë, ai thotë se përmes tenderit të shpallur po synohet që të sigurohen edhe 300 mijë teste PCR dhe 10 mijë teste serologjike.

I pari i Shëndetësisë ka deklaruar se pacientëve të infektuar me koronavirus të cilët janë të hospitalizuar në ShSKUK, ju sigurohen të gjitha ilaçet, përveç barit Rendesivir, për të cilin thotë se do të sigurohet.

Zemaj ka folur edhe për masat që do të merren për festat e fundvitit. Ai deklaron se për momentin, do të mbesin në fuqi masat që janë marrë në nëntor. Thotë se është herët të dihet si do të veprohet në mënyrë specifike me cilin sektor për fundvit.

Ai deklaron se plotësimi i Ligjit për Shëndetësi, i cili i hap rrugë sigurimeve shëndetësore, është në fazën finale dhe shpejt pritet të adresohet në Qeveri për miratim, e më pas të procedohet në Kuvend.

Ka ankesa të vazhdueshme nga qytetarët se po duhet ta sigurojnë vetë terapinë për trajtimin e COVID-19. Megjithatë ju keni deklaruar se ua keni siguruar terapinë pacientëve. Saktësisht cilat barna po ju sigurohen falas qytetarëve?

Armend Zemaj: Çdo pacient që është i infektuar me Covid-19 dhe është i Hopsitalizuar në ShSKUK, me përjashtim të barit Rendesivir ( i cili edhe ky do të sigurohet ), çdo gjë tjetër iu vihet në dispozicion. Favipiravir-in e kemi të siguruar për pacientët tash e një kohë, 22 mijë copa. Kushdo që nuk arrin ta marrë këtë tabletë nga spitalet dhe i kërkohet që ta blejë, le të lajmërojnë kudo që e vlerëson.