Zemaj e bën lëmsh, del kundër Ministrisë që vetë e drejton: Maska obligative edhe kur ecni vetëm në rrugë

Udhëzuesi “Përdorimi i maskave dhe mbulesave të fytyrës në komunitet”, i cili u publikua nga Ministria e Shëndetësisë për të sqaruar se në cilat vende është e nevojshme vendosja e maskës, në fakt ka krijuar paqartësi rreth vendosjes së maskës, gjatë kohës kur ecim të vetëm në rrugë.

Në këtë udhëzues, askund nuk përmendet se vendosja e maskës gjatë kohës kur jemi duke ecur të vetëm në rrugë nuk është i nevojshëm.

Pas këtij konfuzioni, në një deklaratë për mediat, Ministria e Shëndetësisë tha se kur jemi të vetëm në veturë dhe në rrugë, nuk ka nevojë të bartim maskë.

Aty sqarohet se gjatë ecjes në rrugë duhet të mbajmë distancën me të tjerët.

“Është e vërtetë se kur jeni vetëm në veturë apo vetëm rrugës nuk ka nevojë të bartet maska, por është e nënkuptueshme që në momentin që ju ofrohet dikush apo i ofroheni dikujt nën distancën e parashikuar maska duhet të vendoset si masë e përgjithshme mbrojtëse. Paqartësi ka vetëm për ata që duan t’i sfidojnë vendimet e Qeverisë, ndryshe çdo gjë është qartësuar me Udhëzuesin”, thuhej  në përgjigjen e MSH-së, të dhënë ditë më parë për Gazetën Express.

Mirëpo, ndryshe po deklaron Ministri i Shëndetësisë, Armend Zemaj. Ai ka theksuar se vendosja e maskave është obligative për të gjithë dhe në çdo kohë.

”Edhe kur jeni vetëm, edhe në shesh e kudo, maska duhet mbajtur”, tha ai, në emisionin “Prime Time”.Zemaj tutje shtoi se  vendosja e maskave duhet shndërrohet në një lloj kulture.

Kujtojmë se ditëve të fundit në Kosovë është rritur numri i rasteve me koronavirus, gjersa Evropa po përballet me valën e dytë duke rikthyer edhe maska strikte.