Ish ministri i MSH

Zemaj: Behgjet Pacolli ofroi avionin personal që të arrijnë vaksinat sa më shpejtë

Ish-ministri i Shëndetësisë, Armend Zemaj, në emisionin Pressing të T7, ka thënë se kreu i AKR’së, Behgjet Pacolli, ka ofruar avionin e tij personal që të shkohet për t’i marrë vaksinat sa më shpejtë.

Zemaj tha se është angazhuar vetë që të organizojë edhe transport privat në qoftë se është e nevojshme dhe nëse vaksinat vonohen.

“Ne e dishim, kishim konfirmim të ardhjes, të dielën, tentojshim që të organizojmë marrjen e atyre vaksinave edhe nëse vonohen. U angazhuan të kemi edhe transport privat nëse ato vonohen, s’është për ta fshehur, Behgjet Pacolli ishte i gatshëm që ta japë aeroplanin e tij privat që nëse është e nevojshme të shkojmë t’i marrim këto vaksina për të ndihmuar në proces”, është shprehur Zemaj.

Tutje, ai tregoi se pos Pacollit, edhe kompanitë e tjera të fluturimeve u shprehën të gatshme të ndihmojnë në këtë proces.

“Unë i kam kërkuar Pacollit. M’u ka kujtuar, ka qenë presioni, dëshira dhe vullneti… kemi kontaktuar edhe kompani të tjera të fluturimeve dhe ishin të gatshëm që të gjithë të na ndihmojnë në këtë proces”, shtoi Zemaj.