Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky, duke komentuar sulmet izraelito-amerikane ndaj Iranit, tha se është e rëndësishme që Shtetet e Bashkuara të Amerikës të veprojnë me vendosmëri, por edhe që konflikti të mos përshkallëzohet në një luftë më të gjerë. “Kudo që të jetë vendosmëria amerikane, kriminelët globalë janë të dobët”, tha Zelensky në mediat sociale, i cili më parë bëri thirrje për përmbysjen e qeverisë iraniane, transmeton Ballkani.info.
“Rusët gjithashtu duhet ta kuptojnë këtë”, shtoi ai.
Teherani është një aleat i ngushtë i Moskës, e cila ka qenë në luftë me Ukrainën që nga viti 2022. Irani e ka furnizuar Rusinë me mijëra dronë Shahed me rreze të gjatë veprimi, dizajni i të cilëve përdoret gjithashtu për të prodhuar dronë në fabrikat ruse.
Zelensky tha se Moska lëshoi mbi 57,000 dronë Shahed në Ukrainë gjatë luftës.
“Është e drejtë t’i jepet popullit iranian mundësia për t’u çliruar nga regjimi terrorist dhe për të siguruar sigurinë e të gjitha kombeve që kanë vuajtur për shkak të terrorit që buron nga Irani”, shkroi ai, duke shtuar se është e rëndësishme të shpëtohen jetë njerëzore sa herë që të jetë e mundur. “Është e rëndësishme të parandalohet përhapja e luftës. Është e rëndësishme që Shtetet e Bashkuara të veprojnë me vendosmëri”, shtoi ai. /Ballkani.info/







