Volodymyr Zelensky

Zelensky: Konflikti Izrael-Gaza mori fokusin e luftës në Ukrainë

Lufta Izrael-Gaza po e merr fokusin e konfliktit në Ukrainë, ka thënë presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky.

Sipas tij, ky është edhe një nga qëllimet e Rusisë, e cila nisi pushtimin e Ukrainës më 2022.

“Është e qartë se lufta në Lindjen e Mesme po ia heq fokusin Ukrainës”, ka thënë Zelensky në një konferencë të përbashkët me Presidenten e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen të shtunën.

Zelensky ka mohuar se luftimet në Ukrainë po kalojnë nëpër një ngërç, pavarësisht vlerësimeve të fundit që i ka dhënë gjenerali më i lartë ushtarak i vendit, Valery Zaluzhny.

“Të gjithë po lodhen dhe ka mendime të ndryshme, por nuk është ngërç”, ka shtuar Zelensky, raporton BBC.

Ushtria e Ukrainës ka njoftuar se të shtunën ka goditur me sukses infrastrukturën e detit dhe portit të një fabrike të ndërtimit të anijeve në Krime – gadishulli jugor i Ukrainës i aneksuar ilegalisht nga Rusia në 2014.

Ai pranoi se Rusia “po kontrollon qiejt” dhe se Ukraina ka nevojë urgjente për avionë luftarakë F-16 të prodhimit amerikan dhe mbrojtje të avancuara kundërajrore për ta ndryshuar situatën.

Zelensky gjithashtu hodhi poshtë raportimet në media se është nën presion për t’i shqyrtuar negociatat me Rusinë.

“Sot, askush midis udhëheqësve të BE-së, SHBA-së dhe partnerëve tjerë tanë nuk po bën presion që ne të ulemi për të negociuar me Rusinë dhe t’i japim diçka asaj. Kjo nuk do të ndodhë”, është shprehur ai.