Anëtarët e Komisionit për Integrime Evropiane kanë diskutuar Projektligjin për statusin e punëtorëve të arsimit shqip të Republikës së Kosovës gjatë viteve të 90’ta. Ndonëse patën vërejtje se po e rëndon buxhetin e Kosovës, me vota unanime ata e kanë dërguar në Kuvend këtë projektligj.

Milaim Zeka, anëtar i këtij komisioni nga radhët e Nismës Socialdemokrate, u shpreh se disa projektligje që po votohen në Kuvend, duke përfshirë edhe atë të punëtorëve të arsimit të viteve të 90’ta, po e rrezikojnë buxhetin e Kosovës.

Ndonëse e përkrahu këtë ligj, Zeka e ka konsideruar absurd të madh që persona që kanë kryer funksione politike si për shembull kryetari i Kuvendit të marrin benificione gjatë gjithë jetës.

Visar Ymeri nga PSD-ja, deklaroi se ky projektligj nuk i takon fare fushëveprimit të këtij komisioni, dhe se është barrë e Komisionit për Buxhet dhe Financa. Sipas tij, është e nevojshme të krijohet një kod pensional dhe në këtë mënyrë të rregullohet çështja e pensioneve në Kosovë.

Ymeri lidhur me projektligjin për statusin e punëtorëve të viteve të ’90-ta u shpreh se është tejet e nevojshme t’u njihet stazhi i punës. Anëtarja e këtij komisionit nga Lëvizja Vetëvendosje, Fatmir Kollçaku u shpreh se mungesa e sistemit pensional po krijon probleme.

Ismet Beqiri nga Lidhja Demokratike e Kosovës ka përkrahur Projektligjin për punëtorët e arsimit gjatë viteve ‘90, por ka konsideruar se buxheti i shtetit përmes dhënies së këtyre lloj benefiteve po rëndohet dhe në të ardhmen duhet pasur më shumë kujdes në këtë aspekt.

Me vota unanime Komisioni për Integrime Evropiane ka dërguar në Kuvendin e Kosovës edhe katër projektligje tjera pasi ka konstatuar se janë në përputhje me legjislacionin e Bashkimit Evropian.

Projektligjet e votuara janë ai për mbrojtjen e të dhënave personale, ndryshimin dhe plotësimin e ligjit për parandalimin dhe sanksionimin e dhunës dhe dukurive negative në ngjarjet sportive, projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e ligjit të sportit ndryshuar dhe plotësuar me ligjin për ndryshimin dhe plotësimin e ligjit për sport.