Zëdhënësja e LDK-së: Kurti është vënë në krye të makinerisë linçuese ndaj krerëve të sindikatave

Sibel Halimi, Zëdhënëse politike e Lidhjes Demokratike të Kosovës e ka kritikuar kryeministrin Albin Kurti pas përqeshjes që ai i bëri kreut të Sindikatës së Bashkuar të Arsimit dhe Kulturës, Rrahman Jasharaj.

Halimi ka thënë se në ballë të fushatës denigruese ndaj krerëve të sindikatave është vënë vetë kryeministri Albin Kurti.

“Në këto tri javë grevë, për as edhe një çast, nuk ka pushuar denigrimi ndaj krerëve të sindikatave nga ana e makinerisë linçuese e propaganduese të pushtetit. Së fundmi, në ballë të kësaj makinerie të errët, u vu vetë kryeministri, duke e imituar të folurën e duke e përqeshur – rrjedhimisht bullizuar – kreun e SBAShK-ut. Fushata dehumanizuese në fjalë, i parapriu përpjekjes për sulm fizik ndaj Jasharajt, sepse eksponentë të pushtetit e krijuan ambientin linçues!”, ka theksuar Halimi.

Sipas saj politika dhe njerëzorja, në liri të vendit, asnjëherë nuk kanë qenë kaq larg njëra tjetrës.

“Kjo mendësi dhe tendencë e tendencë e nënshtrimit dhe shtypjes së tjetrit të perceptuar ndryshëm dhe armik të fabrikuar; kjo ‘cancel culture’ e përmasave të frikshme, nuk ka për të sjellë asgjë të dobishme. Politika dhe njerëzorja, në liri të vendit, asnjëherë nuk kanë qenë kaq larg njëra tjetrës.”, është shprehur Halimi.