Zëdhënësi i VV-së ankohet pse mediat nuk ia bënë PR-in kryeministrit kur u pa në aeroplan me qytetarët

Zëdhënësi i Lëvizjes Vetëvendosje, Arlind Manxhuka, ka shprehur pakënaqësi ndaj mediave që nuk kanë raportuar lidhur me fotografitë e shpërndarë në rrjete sociale të kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, i cili u pa në klasin ekonomik me qytetarët përgjatë një udhëtimi me aeroplan.

Manxhuka ankesën e ka shprehur në ‘Facebook’, duke thënë se një veprim i këtillë i kryeministrit Kurti nuk u pa askund si lajm.

“Para ca ditësh, por që nuk është hera e parë, dolën në rrjetet sociale shumë fotografi të Kryeministrit Kurti në aeroplan diku në mes qytetarësh të zakonshëm e pa asnjë trajtim të veçantë. Askund nuk u pa si lajm anipse është i tillë sepse kryeministria e djem e vajza kryeministrash për 20 vjet ka udhtuar me bileta prej VIP-ash”, shkroi ai.

“Ndërkaq, kur ishte puna për të goditur Qeverinë Kurti, edhe një gënjeshtër do të bëhej lajm me shumë bujë se si këshilltarë të ministrisë paskan udhëtuar me përmes VIP zonës. Gjithë kjo zhurmë me dokumente u demantua se ishte gënjeshtër”, përfundoi postimi i tij.