Zëdhënësi i Qeverisë në rolin e redaktorit, e thërret gazetarin dhe i kërkon të ndryshohet titulli i raportit

Përparim Kryeziu, Zëdhënës i Qeverisë, ka treguar se si ka kryer edhe punë të redaktorit në raport me gazetarët e televizionit publik, RTK. Ka shpjeguar se ka thirrur gazetarin e RTK’së dhe i ka kërkuar të ndryshohet titulli. Gazetari është pajtuar të ndryshohet titulli.

Gjithë këto detaje Kryeziu i ka dhënë në një “Reagim ndaj raportimit joprofesional të radhës së RTK-së”,  në FB ku ka treguar se si Televizioni Publik ka raportuar në mënyrë joprofesionale në raport me Qeverinë e shkarkuar.

“Sapo është parë kjo kronikë, kemi kontaktuar me gazetarin e kronikës i cili ka zhvilluar intervistën me mua. Ai është pajtuar që titulli nuk reflekton përmbajtjen e saktë të kronikës së shkruar. Mbi këtë pajtueshmëri, gazetari i është drejtuar redaksisë me kërkesë për të ndryshuar titullin e kronikës, ndryshimi i së cilës na është konfirmuar se do të bëhet”, ka treguar Kryeziu, i cili ishte bërë i njohur kur kishte ndërhyrë në një konferencë bashkë me Haki Abazin.

Kryeziu ka bërë analizë titullit dhe ka dhënë shpjegime se si duhet të sillet RTK në raport me Qeverinë dhe grupet tjera.

“Tutje, referimi në titull i Qeverisë së Republikës së Kosovës me “Qeveria Kurti”, thuajse këto nuk janë e njëjta, është tendencioz. Reciprociteti i vendosur ndaj Serbisë, është reciprocitet i vendosur nga Republika jonë e Kosova nëpërmjet Qeverisë së saj. RTK nuk duhet të jetë në shërbim të asnjë grupi apo pale, por t’i nënshtrohet vetëm parimeve të raportimit të drejtë dhe të paanshëm”, ka shtuar ai.

Zëdhënës i Qeverisë, Përparim Kryeziu ishte emëruar në këtë pozitë dy ditë para se të shkarkohej Qeveria me votat e 2/3 e deputetëve të Parlamentit. Më herët ka punuar në shoqërinë civile derisa ka përfunduar studimet në Portugali dhe Belgjikë.