Zëdhënësi i PDK-së: Vizat do t’i marrim sepse Kurti ka lëshur pe për Asociacionin

Zëdhënësi i PDK-së, Faton Abdullahi, ka vlerësuar se mosliberalizimi i vizave për kosovarët ka qenë çështje politike.

Ai ka bërë me dije se Kosova prej vitesh i ka përmbushur të gjitha kushtet për këtë proces.

Në profilin e tij në “Facebook”, ai ka shkruar se liberalizimi i vizave do të ndodh vetëm pasi kryeministri Albin Kurti ka lëshuar pe për Asociacionin.

“Vizat për kohë të gjatë kanë qenë tundim politik për Kosovën. Mungesa e tyre është diskriminim socio-politik (deri në racizëm) që ka bërë Brukseli kundër qytetarëve të Kosovës. Tash disa vite Kosova i ka përmbushur kushtet e BE-së për vizat. Përkundër kësaj vizat nuk na janë dhënë. Arsyeja kryesore ka qenë se BE në ofertën e saj politike ‘shkopi dhe karota’ vizat i ka trajtuar karotë speciale. Vizat BE për Kosovën i ka kthyer në ‘xhoker politik’ – të përshtatshme për gjithkënd, për çdo gjë. Po të bëheshin dje lëshimet që sot po i bën Kurti për Asociacionin ne do t’i kishim vizat. Por ato lëshime dje nuk janë bë. Edhe kur janë bë Gjykata Kushtetuese i ka përmirësu. Ndërsa Kurti po i bën lëshimet sot prandaj do t’i marrim vizat”, ka shkruar Abdullahu.