Zëdhënësi i PDK-së: Kurti nuk duhet t’u kërkojë ndihmë ambasadave, por falje qytetarëve

Zëdhënësi i Partisë Demokratike të Kosovës, Avni Bytyçi, ka thënë se kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, nuk duhet t’u kërkojë ndihmë ambasadave të huaja për përballjen me COVID-19 në Kosovë. Sipas tij, Kurti duhet t’u kërkojë falje qytetarëve “për prishjen e koalicionit në mes të pandemisë dhe braktisjen e qytetarëve në krizën më të madhe që nga përfundimi i luftës”.

Sot ish-kryeministri Kurti u kërkoi ndihmë ambasadorëve të huaj që të ndihmojnë Kosovën me pajisje të nevojshme mjekësore dhe burime njerëzore për të mundësuar parandalimin e një “krize humanitare”.

Megjithatë, sipas Bytyqit, Kurti nuk duhet të sillet si lider i opozitës “por ish-kryeministër që ka përgjegjësi të drejtpërdrejtë për situatën aktuale në Kosovë”.

“E para: Ftesa për asistencë nga ambasadorët e huaj se kinse na pret një katastrofë humanitare, është e turpshme, e papërgjegjshme dhe fyerje për shtetin e Kosovës. E dyta: Nëse realizohet ky parashikim i errët i Albin Kurtit, ish-kryeministri është bashkëfajtor për dy gabime trashanike që e kanë sjellë Kosovën në këtë gjendje; -Hapja e pakontrolluar e shtetit të Kosovës gjatë pandemisë për qëllime të ulëta politike – për të organizuar protesta. E që padyshim është njëra nga arsyet kryesore e shpërndarjes se virusit SARS-CoV-2 në këtë periudhë. -Si dhe ofrimi i një pakoje financiare për zbutjen e krizës ekonomike, e cila asnjëhere nuk është zbatuar nga vet qeveria Kurti. Mijëra qytetarë e shumë ndërmarrje nuk e morrën ndihmen e merituar nga shteti”, ka shkruar Bytyçi në një postim në Facebook. “Pra, ish-kryeministri nuk duhet të kërkojë ndihmë nga ambasadat por falje para qytetarëve, për prishjen e koalicionit në mes të pandemisë dhe braktisjen e qytetarëve të Kosovës në krizën më të madhe që nga përfundimi i luftës”.