Policia e Kosovës ka arrestuar dje një person në Obiliq, pasi i njëjti dyshohet se bashkë me një person tjetër kanë vjedhur një sasi të madhe të kabllove të bakrit, nga termocentrali “Kosova A”.
Sipas burimeve të Gazetës Sinjali personi që u prangos dje pasi u ndalua me veturë në rrugën “Avdullah Qerkezi” të Obiliqit është Besart Prenqi, 30-vjeçar.
Njësia policore e arrestoi të riun pasi në bagazhin e veturës iu gjetën një sasi e kabllos elektrike prej bakri, prej 200 kilogramë. Pasi u prangos, prokurori mori vendim që i dyshuari të dërgohet në Qendrën e Mbajtjes për 48 orë.
Përveç tij, lidhur me këtë rast është i dyshuar edhe një person tjetër, R.K., 29-vjeçar, i cili gjendet në arrati.
Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.







