Zbulohet një llogore ushtarake në Leposaviq: A po përgatitej Serbia për rezistencë ndaj Kosovës?

Masakra e krime të kryera nga regjimi i Milosheviqit nuk e kanë ndalur as pushtetin e tanishëm në Serbi në përpjekjet e saj për të destabilizuar Kosovën. Së fundmi strukturat paralele vendosën sërish barrikada në veri vendit të cilat më pas i larguan.

Por përtej barrikadave u hapën edhe kanale e u ndërtuan mure mbrojtëse me thasë, gjë që tregon se strukturat paralele ishin të gatshme për rezistencë ndaj shtetit të Kosovës.

RTK sjell pamje ekskluzive të llogoreve të cilat u hapën në afërsi të fshatit Leshak të Leposaviqit nga ku mund të vrojtohet çdo lëvizje në rrugë.

Struktura paralele të dirigjuara nga Beogradi të cilat vendosën barrikada pamundësuan qarkullimin në pjesën veriore të Mitrovicës.

Por kamionët nuk ishin e gjitha çfarë kishin menduar ata.

Pas kamionëve që qëndruan me javë të tëra përgjatë kësaj rruge, strukturat paralele kishin bërë përgatitje të tjera për t’u ballafaquar me situatën.

RTK mëson se kanali është hapur nga strukturat në veri gjatë kohës kur në pjesën veriore të vendit po vendoseshin disa barrikada. Kanali është bërë në shenjë rezistence.

Kanali që duket se ka kohë që është hapur, është në afërsi të rrugës kryesore, nga e cila pikë vërehet çdo lëvizje.

Thasët që ishin vendosur përpara kanalit, ishin të mbuluar me drunj e gjemba, në mënyrë që mos të vërehen nga askush.

Pos kanalit, thasë që formonin mur mbrojtës vazhdojnë të jenë të vendosur edhe pak metra më larg. Për dallim nga kanali, thasët vërehen qartë nga rruga dhe janë të vendosur përpara një shtëpie banimi.

RTK ka provuar të marrë një përgjigje nga Policia e Kosovës nëse është e njoftuar për këtë veprim dhe nëse ka identifikuar personat që kanë ndërtuar ato, por të njëjtit nuk kanë kthyer përgjigje. As nga Ministria e Punëve të Brendshme nuk janë përgjigjur për këto gjurmë që kanë mbetur në veri të vendit.

Ndërkohë, kryeministri Albin Kurti ditë më parë ka thënë për gazetën austriake Di Presse, se ekzistojnë prova të cilat dëshmojnë prezencën e grupit mercenar rus Wagner dhe bandës nacionaliste ruse të motoçiklistëve Ujqërit e Natës në veri të vendit dhe afër kufirit.