Ljupço Palevski Palço, i dyshuari kryesor për kidnapimin dhe vrasjen e 14-vjeçares Vanja Gorçevska, menjëherë pas arrestimit do të dërgohet në paraburgim, ka vendosur Gjykata Themelore Penale në Shkup.

Prokuroria e Shtetit në Shkup ka lëshuar urdhër për hetim penal në procedurë urgjente dhe ka dorëzuar propozim për masën e paraburgimit prej 30 ditësh për Palevskin, mësojnë mediat maqedonase.

Të hënën, gjykata urdhëroi gjithashtu që babai i Vanjës, Aleksandar Gjorçevski të mbahet në paraburgim për 48 orë. Në paraburgim u dërguan edhe Velibor Manev, Vlatko Keshishev dhe Bora Videvski.

Portali Fokus raporton se të dyshuarit janë vendosur në dhoma të ndara në burgun e Shuto Orizarës, i njohur si Shutka. Disa nga të dyshuarit janë ankuar për probleme shëndetësore, por nuk kanë pasur vështirësi të mëdha.

Kryeprokurori i shtetit Gavril Bubevski, në programin e mëngjesit të TV Nova, tha se të dyshuarit për vrasjen e adoleshentes Vanja dhe berberit 74-vjeçar Pança Zhizovski përballen me burgim nga dhjetë vjet deri në burgim të përjetshëm.

“Rrëmbimi i vajzës ka të bëjë me interesin vetjak. Të dyshuarit kanë thënë se e kanë rrëmbyer fëmijën për t’i marrë para nënës”, tha Bubevski për TV Nova.

Siç mëson portali maqedonas Veçer, babai i Vanjës, Aleksandri, ka komunikuar drejtpërdrejt me të dyshuarin kryesor për rrëmbimin e saj. Sipas informacioneve të policisë, nëna e Vanjës ka shitur banesën dhe motiv i zhvatjes kanë qenë paratë që ajo kishte marrë pasi ka shitur apartamentin.

Autopsia e trupit të 14-vjeçarës Vanja në Institutin e Mjekësisë Ligjore dhe Kriminalistikës në Shkup ka përfunduar të hënën dhe kufoma i është dorëzuar familjes. Detajet e gjetjeve të autopsisë nuk do të bëhen publike, por ka mundësi që prokuroria e shtetit të zbulojë informacione të caktuara, si koha e vdekjes dhe shkaku i vdekjes – armë zjarri, mbytje apo diçka tjetër.

Menjëherë pas publikimit të lajmit se e mitura Vanja, e cila më parë ishte rrëmbyer, e më pas vetëm dy orë më vonë, u vra dhe u varros jo shumë larg Shkupit, në rrjetet sociale u nis një peticion që kërkon dënim me vdekje për autorët e këtij krimi të tmerrshëm.

Ky peticion deri më tani është nënshkruar nga më shumë se 15,000 njerëz.