Zbulohet lideri i ri i ISIS-it – njeriu që do të drejtojë grupin e terrorit, pas vrasjes së al-Baghdadit

Udhëheqësi i ri i ISIS thuhet se është zbuluar sonte, disa muaj pasi Abu Bakr al-Baghdadi “vdiq si qen” në një bastisje të urdhëruar nga presidenti Donald Trump.

Sipas mediave të huaja, përcjell Telegrafi, Amir Mohamed Abdul Rahman al-Mawli al-Salbi, i cili është një nga anëtarët themelues të grupit terror, tani është udhëheqësi i ri i këtij grupi, thonë burimet e inteligjencës.

Siç shkruan mediumi prestigjioz britanik, Guardian, ai ka mbikëqyrur operacionet në mbarë globin.

Lindur në një familje turkmene të Irakut në qytetin Tal Afar, al-Salbi është një nga të paktët jo-arabë në mesin e udhëheqjes.

Ai thuhet se udhëhoqi skllavërimin e pakicës Yazidi të Irakut dhe u ngrit shpejt në radhët e ISIS-it.

Dhe pretendohet se al-Salbi ka të paktën një djalë.

Ai pritet të jetë pasardhësi i Al-Baghdadit, i cili u vra në tetor gjatë një sulmi ushtarak në Siri.

Ishte raportuar se Baghdadi shpërtheu një jelek vetëvrasës pasi kuptoi se ai nuk kishte shanse të shpëtonte gjatë bastisjes së forcave speciale amerikane, duke i kaluar momentet e tij të fundit në “frikë të plotë, panik total dhe tmerr”.

Dy gratë e tij gjithashtu u vranë gjatë të shtënave me armë, pa asnjë dëmtim të forcave amerikane.