LAJMI I FUNDIT

Zbulohet e vërteta e madhe | Që nga fillimi i pushtimit të Gazës, Serbia ka dërguar sasi të mëdha armësh në Izrael

Pas sulmit të Hamasit në tetor të vitit të kaluar, Serbia eksportoi të paktën dy dërgesa të mëdha armësh në Izrael, njoftoi të martën Rrjeti Ballkanik i Kërkimeve (BIRN) dhe Ministria e Tregtisë së Brendshme dhe të Jashtme nuk iu përgjigj një hetimi për të mohuar ose konfirmuar këto akuza.

Të dhënat për eksportin e armëve në Izrael janë klasifikuar si rreptësishtë konfidenciale, kjo është përgjigja e asaj ministrie, e cila ka refuzuar t’i japë BIRN-it informacion për eksportin e armëve në Izrael që nga tetori, shkruan Dnevnik.hr, transmeton Ballkani.info.

Informacioni është kërkuar në bazë të kërkesës për qasje në informacione me rëndësi publike.

Ministria thekson se vendimi përcakton se këto janë të dhëna sekrete me interes për Serbinë dhe se me dorëzimin e tyre do të vihen në dispozicion edhe të dhëna që mund të konsiderohen sekret biznesi.

Sipas BIRN, një përgjigje e tillë nga Ministria e Tregtisë së Brendshme dhe të Jashtme është e pazakontë, sepse zakonisht u siguron gazetarëve informacione mbi eksportet e armëve, të tilla si të dhëna për llojin dhe sasinë e armëve që eksportohen, kompanitë e përfshira në eksporte dhe cilët janë përdoruesit përfundimtarë të këtyre armëve.

Kjo është hera e dytë në vitet e fundit që kjo ministri refuzon t’i japë BIRN-it të dhënat e kërkuara në përputhje me Ligjin për Disponueshmërinë e Informacionit të Rëndësisë Publike, thekson rrjeti.

Herën e fundit ky refuzim u bë në tetor të vitit të kaluar kur, sipas BIRN, u përgjigj se zbulimi i informacionit mbi shitjen e armëve të gjetura pas sulmit terrorist të grupi paraushtarak të serbëve të udhëhequr nga Milan Radoiçiq dhe Policisë së Kosovës në Banjskë, në veri të Kosovës, do të kërcënonte interesat e sigurisë së Serbisë.

Pavarësisht refuzimit të ministrisë për të dhënë të dhëna, BIRN zbulon se kompania kryesore shtetërore për eksportet e armëve, Jugoimport-SDPR, dërgoi dy dërgesa në Izrael nga tetori 2023 deri më sot, me një vlerë totale prej më shumë se një milion euro bazuar në të dhënat e Drejtorisë doganore të mbledhura nga portali “Checkpoint”, i cili mbledh të dhënat zyrtare të institucioneve shtetërore në një vend.

Jugoimport-SDPR ka eksportuar mallra në vlerë prej 540.120 euro në tetor 2023, ndërsa një dërgesë tjetër në vlerë prej 510.000 euro është dërguar në Izrael në shkurt të këtij viti.

Mbetet e panjohur nëse në të njëjtën periudhë Serbia ka lëshuar një leje tjetër për eksportin e armëve në Izrael që ende nuk është zbatuar, duke qenë se ministria refuzoi kërkesën e BIRN.

Presidenti serb Aleksandar Vuçiq tha në fund të javës së kaluar se Serbia eksporton gjithçka që nga armët që mund të prodhohen për shitje. Interesi është aq i madh sa Serbia mund të shesë gjithçka që bën në 30 vjet me vetëm një kontratë, tha Vuçiq në një deklaratë për gazetarët më 9 mars gjatë një vizite në Institutin Teknik Ushtarak në Beograd. /Ballkani.info/