Zbulohen kontratat e Superligës Evropiane

Detajet e kontratave të Superligës Evropiane të nënshkruara nga 12 klubet rebele kanë dalë në internet me disa detaje befasuese në lidhje me paratë e ofruara.

Gazeta gjermane “Der Spiegel” ka lëshuar disa faqe të dokumentit, me të cilin ishin dakorduar gjashtë ekipe nga Premier League, tri nga La Liga dhe tri nga Serie A, përpara njoftimit kontrovers javën e kaluar. Këto faqe përfshijnë informata që Barcelona dhe Real Madridi do të merrnin nga 60 milionë euro më shumë se rivalët. Gjithashtu, secili klub e ka pasur të drejtën për të transmetuar ekskluzivisht një numër ndeshjesh dhe ishte e parashikuar një tarifë prej 150 milionë eurosh për ata që dëshirojnë të tërhiqen nga gara.

Kishte një reagim të furishëm nga tifozët, lojtarët, menaxherët, politikanët dhe madje edhe mbretërit këtë javë, pasi planet e 12 klubeve elitare evropiane për të formuar garën e tyre u bënë publike të dielën në mbrëmje.

Por projekti dështoi të martën në mbrëmje dhe themeluesi i saj, kryetari i Juventusit, Andrea Agnelli, njoftoi se Superliga nuk mund të shkonte përpara pasi klubet nga Premier League ishin tërhequr të gjitha. Të premten në mëngjes, banka amerikane e investimeve “JP Morgan” dukej se vuri “gozhdën e fundit” në arkivol pasi tërhoqi mbështetjen prej 3.5 miliardë eurosh për Superligën.

Më vonë u njoftua se pas një takimi të Komitetit Ekzekutiv të UEFA-s, 12 klubet e përfshira nuk do të përballeshin me ndonjë ndëshkim sportiv për rolin në këtë skemë. Sidoqoftë detajet e rrjedhura të kontratave të nënshkruara nga 12 klubet kanë dhënë një pasqyrë në disa aspekte të garës dhe shpërblimet financiare që ishin vendosur.

Tani kuptohet qartë pse Real Madridi dhe Barcelona nuk janë tërhequr ende zyrtarisht nga Superliga sepse ato do të fitonin një shumë të konsiderueshme më tepër se rivalët. Një nen i kontratës titullohet “Kompensim shtesë për 2 sezonet e para të Superligës”.

Në këtë nen thuhet: “Barcelona dhe Real Madridi do të paguhen me shumën fikse shtesë prej 60 milionë eurosh, e ndarë në dy këste të barabarta. Për këtë qëllim në fund të sezonit të parë të Superligës dhe në fund të sezonit të dytë të Superligës ato klube do të paguhen nga 30 milionë secili”.

Barcelona po përballet me borxhe të mëdha financiare dhe duhet të sjellë çdo qindarkë të mundshme për ta mbuluar borxhin. Presidenti i sapozgjedhur Joan Laporta tha të enjten mbrëma se Superliga është “absolutisht e nevojshme” në këtë kohë kur virusi ka dëmtuar financiarisht ekipet e mëdha.

Një pjesë tjetër e kontratës thotë se klubet e Superligës do të kenë të drejtën të shfaqin katër nga ndeshjet e tyre të sezonit të rregullt “ekskluzivisht” në “platformat kryesore të klubeve”, siç janë faqja e internetit, aplikacioni celular i klubit dhe kanali televiziv. Kjo do të siguronte të hyra shtesë për klubet sepse do t’i lejonte të marrin pagesat nga ato paketa.

Një faqe interneti tregon që nga 15 klubet themeluese – që janë 12 origjinale plus Paris Saint-Germaini, Bayern Munichu dhe Borussia Dortmundi, që do të ishin të ftuar së bashku me Milanin, Atletico Madridin e Interin – do të merrnin një pjesë më të vogël të “shumës së grantit të infrastrukturës” fillestare.

Sidoqoftë, ndoshta e dhëna më e rëndësishme e rrjedhur nga kontrata është “tarifa e prishjes” që mund të hyjë në lojë tani kur shumica e klubeve themeluese janë tërhequr. Aty thuhet se klubet që tërhiqen nga Superliga përballen me një tarifë dënimi prej “15 milionë eurosh”, e cila do të ishte një goditje e madhe për gjashtë klubet e Premier Leagues dhe të tjerët që janë tërhequr nga projekti. Rrjedhja erdhi pasi klubeve të Superligës iu dha një rritje të premten kur UEFA vendosi që atyre nuk do t’u jepte dënime sportive. UEFA vendosi të mos dëbojë asnjë nga klubet e përfshira në këtë sezon të Ligës së Kampionëve dhe garat e Ligës së Evropës.

Po ashtu ka raportime se Superligën e prishën presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, e Katari dhe jo tifozët siç po pretendohet. Këtë e ka zbuluar një raport tjetër, në të cilin thuhet se ndikimi i Putinit dhe Katarit prishën planet e Superligës. Për Putinin thuhet se ka ndikuar te pronari i Chelseat, Roman Abramovich, derisa Katari te pronarët e Manchester Cityt.

Në fakt Chelsea e Manchester City ishin ekipet e para nga Premier League që paralajmëruan tërheqjen nga Superliga Evropiane.