Në oborrin e Shtëpisë së Kulturës “Xhavit Haziri” në Obiliq, u bë përurimi i shtatores se atdhetarit të cilit edhe e mban emrin ky objekt.
Pjesë në ketë ceremoni të përurimit mori edhe presidenti i vendit Hashim Thaçi, kryeministri në largim Ramush Haradinaj dhe kryeparlamentari në detyrë Kadri Veseli.
Përveç këtyre, aty u panë edhe figura tjera nga skena politike, deputetë e aktivistë tjerë si dhe bashkëpunëtori i Xhavit Hazirit nga Maqedonia, Ali Ahmeti.
Përurimi i kësaj shtatore u bë me rastin e ditëlindjes së 59-të të Xhavit Hazirit, kurse më 17 shtator mbushën 21 vjet nga zhdukja e tij, kur u kidnapua në Prishtinë nga shërbimi sekret serb në mënyrë tinëzare.
Xhavit Haziri ishte promotor i krijimit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Ai nuk iu nënshtrua asnjëherë pushtetit jugosllav ndërsa dha kontribut edhe në luftën për liri e ribashkim kombëtar, qysh nga vitet 80’ta, ishte i paluhatshëm me veprimet në organizatën ilegale – LPK dhe, në kuadër të kësaj organizate, do të formojnë e strukturojë edhe UÇK’në.










