Zbardhen detaje nga grabitja në Rinas, autorët u larguan nga tunelet..

10 ditë pas ngjarjes zbardhen të tjera detaje nga grabitja spektakolare në Rinas.

Burime nga grupi hetimor për këtë cështje flasin për ekzistencën e disa tuneleve të fshehta, brenda të cilave është përgatitur e gjithë grabitja në aeroport.

Pas vrasjes së Admir Muratajt, autorët u larguan pikërisht nga këto tunele, për ekzistencën e të cilave policia mori dijeni shumë vonë.

Tunelet janë në afërsi të fshatit Drithas, ku policia gjeti të djegur edhe makinën me të cilën grabitësit u larguan nga Tapiza.

Mendohet se brenda këtyre tuneleve grabitësit ndanë paratë, dogjën rrobat dhe u larguan të pashqetësuar.

Deri më sot policia nuk ka asnjë të dyshuar për ngjarjen. Një ditë më parë ministri i Brendshëm, Sandër Lleshaj, deklaroi se paratë e grabitura në Rinas mund edhe të jenë djegur.