“Zajednica” në prag, Kurti ndan të dhëna ku serbët në Kosovë paraqiten më të privilegjuar sesa shqiptarët

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka publikuar të dhëna zyrtare ku paraqiten më të privilegjuar në buxhetin e Kosovës komunat me shumicë serbe sesa ato me shumicë shqiptare. Këto të dhëna janë shpërndarë për herë të parë nga i pari i ekzekutivit, pas presionit ndërkombëtar për themelimin e “Zajednicës”.

Kurti këto statistika ka publikuar në ‘Twitter’ duke thënë se gjashtë komunat me shumicë serbe në zonat jugore kanë përformuar më mirë sesa katër komunat veriore me serbë, shkruan Demokracia.com.

“Dhjetë komuna me shumicë serbe në Kosovë kanë marrë mesatarisht 62% më shumë buxhet (në tërësi) për kokë banori, si dhe 89% më shumë shpenzime kapitale për kokë banori se 28 komunat e tjera, 27 prej të cilave janë me shumicë shqiptare”, ka deklaruar ajo në ‘Twitter’.

I njëjti ka kërkuar nga komuniteti ndërkombëtar që ta mbajë përgjegjës Qeverinë e Serbisë për instrumentalizimin e serbëve nga kriminelët e vendosur në listën e zezë të Thesarit të SHBA-së, duke vënë theksin në Milan Radojiçiqin dhe Zvonko Veselinoviq.

“Politikanët serbë dhe udhëheqësit komunalë në 6 komunat jugore ishin të gatshëm dhe në gjendje të planifikonin, siguronin dhe zbatonin më shumë infrastrukturë arsimore, shëndetësore dhe transporti për qytetarët e tyre sesa 4 komunat në veri”, thotë Kurti.

“Komuniteti ndërkombëtar duhet të kërkojë llogari nga Qeveria e Serbisë për privimin e këtyre 4 komunave veriore. Instrumentalizimi i qytetarëve vendas nëpërmjet një grushti kriminelësh, të udhëhequr nga paratë, narkotikët dhe trafikantët e armëve në listën e zezë të Thesarit të SHBA-së, duhet të dënohet publikisht”, deklaroi shefi i ekzekutivit kosovar.