Zafir Berisha thotë se është ofenduese që Vjosa Osmani të mbajë pozitën e presidentes

Zafir Berisha, anëtar i NISMA-s Socialdemokrate, dhe zv.ministër aktual i Punëve të Brendshme ka hedhur kritika ndaj ushtrueses së detyrës së presidentes, Vjosa Osmani, duke thënë se është ofenduese që Kosova ta ushtrojë pozitën e presidentes së vendit.

“A ka më ofendim për një shtet, veçanërisht një shtet si Kosova, që është produkt e sakrificës dhe i rezistencës titanike të qytetarëve të saj, që pozitën e presidentit ta ushtroj soji i Vjosa Osmanit!?”, ka shkruar ai në Facebook.

Berisha thotë se vendi duhet urgjentisht të shkojë në zgjedhje të reja.

“Kosova urgjentisht duhet të shkoj në zgjedhje nëse nuk mund të bëhet zgjidhje nga kjo mazhorancë për pozitën e presidentit, poshtrimi i shtetit duhet të ndalet, Kosova nuk e meriton baltosjen deri në këtë nivel”, ka shkruar Berisha.

Nuk dihet nëse ky “shpërthim” i Berishës ka të bëjë me rikthimin e vulës së Rugovës nga u.d.presidentja dhe kthimin në dokumente zyrtare të Presidencës, apo për paralajmërimin që dha Osmani se do ta shfuqizojë vendimin për emërimin e djalit të Haxhi Shalës si konsull në Pragë.