Zaev: Qeveria punon në mënjanimin e arsyeve për varfërinë

Investimi në asistencë sociale më të madhe për kategoritë më të ndjeshme të qytetarëve, në zhvillimin e hershëm të fëmijëve, qasje më të lehtë në shtesat fëmijërore, shtesë arsimi për fëmijët dhe rritje e përfshirjes së fëmijëve në edukimin parashkollor, janë disa prej masave në realizimin e së cilave punon Qeveria për dalje nga rrethi i varfërisë, të cilat sot në Ditën Ndërkombëtare për Çrrënjosjen e Varfërisë i përkujtoi kryeministri, Zoran Zaev.

“Duhet ta ndërpresim rrethin e varfërisë, që bartet nga gjenerata në gjeneratë midis familjeve më të ndjeshme. Për këtë, 11 mijë amvisëri plotësuese do të fitojnë asistencë sociale të garantuar, krahas 26 mijë amvisërive ekzistuese të cilat kanë të drejtë për këtë kompensim. Familjet me fëmijë dhe me të ardhura të ulëta do të fitojnë qasje më të lehtë në Shtesën fëmijërore. Presim numri i fëmijëve të cilët do ta shfrytëzojnë këtë të drejtë të jetë mbi 70 mijë, për dallim prej vetëm 3.200 fëmijë të cilët tani kanë të drejtë për Shtesë fëmijërore”, thotë Zaevi në video-fjalimin.

Sipas tij, zhvillimi i hershëm i fëmijëve është kyç dhe në të duhet të investohet në kohë dhe me përfshirjen e familjeve, pasi kjo nuk mund të kompensohet më vonë gjatë jetës.

Kategoritë më të ndjeshme të fëmijëve do të kenë mundësi të kyçen në institucionet për përkujdes dhe edukim – këto kapacitete Qeveria i rrit me investim prej 16 milionë euro dhe mbështetje prej Bankës Botërore. Shtesën për arsim prej vitit 2019 do të mund ta marrin edhe filloristët dhe presim ta shfrytëzojnë mbi 60.000 fëmijë.

“Këto janë disa prej përgjigjeve tona për dalje nga rrethi i varfërisë. Këto janë investime në zhvillimin e njeriut pasi çdo fëmijë është i rëndësishëm, pasi çdo njeri është i rëndësishëm. Nuk ndalemi këtu dhe shkojmë më tej, të hapur për bashkëpunim me nismat e bashkësive. Së bashku mund ta bëjmë Maqedoninë të jetë solidare dhe vend i ndjeshëm”, thotë kryeministri i Maqedonisë në video-fjalimin me rastin e Ditës Ndërkombëtare për Çrrënjosjen e Varfërisë.