Zaev: Maqedonia s’ka nevojë për zgjedhje, nga marrëveshja fitojmë të gjithë

Kryeministri i Maqedonis, Zoran Zaev, ka thënë për “Euronews” se Greqia dhe Maqedonia do të përfitojnë nëse marrëveshja për emrin e ri do të zbatohet sa më shpejtë që është e mundur.

Intervista e kryeministrit maqedonas ka ardhur një javë pasi ish-Republika Jugosllave e Maqedonisë zhvilloi referendumin për marrëveshjen e qershorit, që i hap rrugë vendit për anëtarësim në NATO dhe BE.

91.5% e qytetarëve maqedonas votuan pro marrëveshjes me Greqinë, por pjesëmarrja në votim ishte vetëm 37%, shumë më e ulët se 50 % për ta bërë legalisht të vlefshme.

“Ka mjaft kohë, por ne të gjithë pajtohemi që sa më shpejtë të zbatohet marrëveshja, aq më mirë do të jetë për të dy vendet, pasi marrëveshja ofron shumë përfitime”, ka thënë Zaev për “Euronews”.

“Unë jam i kënaqur me suksesin e këtij procesi plotësisht demokratik, ku të gjithë votuesit e vendosur hodhën votën e tyre për të thënë në cilin drejtim ata duan që vendi të shkojë. Nëntëdhjetë e një për qind i dërguan një mesazh të qartë politikanëve tanë se deputetët duhet të shkojnë në Parlament dhe ta ratifikojnë atë”, ka shtuar kryeministri maqedonas.

Zaev tani duhet të sigurojë shumicën e dy të tretave në Parlamentin e Maqedonisë, në mënyrë që të jetë në gjendje të bëjë ndryshime kushtetuese.

Ai ka thënë se nëse të gjitha rrugët e mundshme për të arritur një shumicë dështojnë, atëherë zgjedhjet e përgjithshme të parakohshme do të jenë të nevojshme.

“Por, Maqedonia nuk ka nevojë për zgjedhje”, ka thënë Zaev.