Zaev dhe Markoviq vijnë nesër në Kosovë në përurimin e autostradës, Edi Rama i pavendosur

Kosova nesër përuron autostradën “Arbën Xhaferi” e cila lidh Kosovën me Maqedoninë.

Kjo autostradë është ndërtuar nga konzorciumi amerikano-turko “Bechtel Enka”.

Nesër, në manifestimin qëndror që do të mbahet, pritet të marrin pjesë dy kryeministrat e vendeve fqinje, Zoran Zaev i Maqedonisë së Veriut dhe Dushan Markoviq i Malit të Zi.

Burime të sigurta brenda Qeverisë së Kosovës i kanë thënë sonte Ballkani.info se ftesa për të marrë pjesë në këtë inaugurim i është dërguar tre kryeministrave të rajonit, Edi Ramës, Zoran Zaevit dhe Dushan Markoviqit.

“Konfirmimin e pjesëmarrjes deri më tash e kanë konfirmuar Zaevi i Maqedonisë së Veriut dhe Markoviqi i Malit të Zi. Nga kryeministrit i Shqipërisë, Edi Rama nuk kemi marrë konfirmim për pjesëmarrje”, kanë thënë këto burime.

Të kujtojmë se marrëdhëniet e Ramës me Haradinajn janë acaruar që prej Samitit të Berlinit kur kryeministri i Kosovës e akuzoi atë të Shqipërisë se i bëri presion në sy të Merkelit dhe Macronit për heqjen e taksës. Ndërkohë, kryeministri shqiptar tha se Haradinaj gënjeu.

Ceremonia do të mbahet në orën 12, derisa pjesëmarrës do të jetë edhe presidenti Hashim Thaçi dhe kryeparlamentari Kadri Veseli. /Ballkani.info/