deputeti

Ymeri: Rasti i Petroviq, dëshmi se interesat e Serbisë të kundërta me ato të serbëve të Kosovës

Deputeti i Kuvendit të Kosovës nga radhët e PSD-së, Visar Ymeri ka reaguar ndaj trysnisë së ushtruar ndaj deputetit të Kosovës Sllobodan Petroviq, nga Agjencia e Inteligjencës së Serbisë.

Përmes një postimi ai ka thënë se me këtë po dëshmohet se interesat e Serbisë në Kosovë janë të kundërta me interesat e serbëve të Kosovës.

“Rrëfimi i deputetit Sllobodan Petroviq për trysninë e ushtruar ndaj tij nga Agjencia e Inteligjencës së Serbisë është shqetësues. Ndaj kësaj duhet të reagojmë. Jo vetëm pse Serbia po vazhdon me kërcënimin, shantazhin dhe dhunën ndaj qytetarëve të Republikës së Kosovës. Por edhe për shkak të qëllimit politik të kësaj lloj trysnie. Dhe ky nuk është rasti i vetëm: në të njëjtin drejtim janë edhe rastet e kërcënimeve të shumtandaj pjesëtarëve të FSK-së të cilët janë detyruar ta lëshojnë vendin e punës.

Këto raste dëshmojnë se Serbia ka qenë dhembetet problem kryesor dhe shkaktari i mos integrimit të serbëve në jetënpolitike, ekonomike e shoqërore të Kosovës. Sepse kështu, dhe vetëm kështu, Serbia mund t’i instrumentalizojë ata për qëllimet e veta politike. Në këtë pikë shihet qartë që interesat e Serbisë në Kosovë janë të kundërta, madje përjashtuese, me interesat e serbëve të Kosovës. Këta të fundit edhe kanë, por edhe kanë filluar ta shohin, interesin e tyre qytetarë në integrim e jetesë të përbashkët.

Republika e Kosovës është shtet i të gjithë qytetarëve të saj pa dallim. Dhe duhet të marrë përgjegjësi për mbrojtjen dhe mirëqenien e të gjithëve. Secila trysni, secili kërcënim, secili akt dhune, ndaj cilitdo qytetarë të Republikës së Kosovës është shqetësues, dhe duhet të jetë i papranueshëm”, ka shkruar Ymeri.