Ymeri: Beogradi nuk duhet lejuar ta cenojë zgjedhjen e lirë për serbët e Kosovës

Nënkryetari i Partisë Socialdemokrate, Visar Ymeri ka thënë se presionet, kërcënimet dhe shantazhet e Beogradit zyrtar ndaj serbëve me të drejtë vote në Kosovë për t’i obliguar ata ta votojnë Listën “Srpska”, dëshmojnë edhe më shumë domosdoshmërinë që Qeveria e ardhshme e Kosovës pas 6 tetorit, të mos jetë e varur nga ky formacion politik.

Kjo ndërhyrje e Beogradit zyrtar, sipas tij, e dëshmon edhe më shumë se deputetët e Partisë Socialdemokrate në legjislaturën e fundit, kishin të drejtë kur bashkë me kryeministrin e atëhershëm ramush Haradinaj kanë larguar këtë ndikim në vendimmarrjen shtetërore të Kosovës, për herë të parë në historinë e Republikës së Kosovës prej kur Listës “Srpska” është e pranishme në Kuvendin e Republikës.

“Kosova, institucionet e saj dhe shoqëria, duhet të krijojnë kushte, frymë dhe mekanizma, që serbët në Kosovë të jenë të lirë për t’i zgjedhur përfaqësuesit e tyre politikë, të mbrojtur nga pushteti autoritar dhe mendësia totalitare e Beogradit zyrtar. Tolerimi i veprimeve të Beogradit në emër të nevojës së kontrollit politik të serbëve të Kosovë nga Serbia për shkak të stabilitetit të brendshëm dhe të proceseve të ardhshme politike, po e pengon e pamundëson zhvillimin e një përfaqësimi autentik politik të serbëve që jetojnë në Kosovë bashkë me të tjerët. Stabilokracia nuk është mundësi për demokraci”, ka shkruar ai.

loading…