Ymer Shahini mund të dënohet me 65 vjet burg dhe 6 milionë dollarë

Shtetasi i Kosovës dhe i Kanadasë, Ymer Shahini, i cili u arrestua të martën nga Policia e Kosovës, pritet të ekstradohet në ShBA.
Ai ishte në mesin e shtatë personave të akuzuar nga FBI’ja për përfitim të jashtëligjshëm dhe mashtrim në Distriktin Jugor Të New York’UT. Ata akuzohen se ilegalisht kanë përfituar 20 milionë dollarë përmes mashtrimit.

Në aktakuzën e ngritur nga Prokuroria e Manhatanit, thuhet, në mes të tjerash, se ai duhet të dënohet, nëse gjendet fajtor, me një dënim të përgjithshëm prej 65 vjet burg dhe 6 milionë dollarë.

Skema e këtij mashtrimi parashihte që fshehurazi të merreshin nën kontroll miliona aksione të kompanisë “Gerova Financial Group Ltd”, të cilat pastaj në mënyrë të fshehtë do të shiteshin.

Në plan ishte që gjysma e këtyre aksioneve të kaloheshin në emrin e Ymer Shahinit.

Vëllezërit Galanis, të cilët janë të akuzuarit e tjerë nga FBI’ja për mashtrim dhe përfitim të jashtëligjshëm, janë përkujdesur për hapjen e llogarisë së Shahinit: “Shahini Accounts” dhe kaluan aty aksionet e shitura fshehurazi, në mënyrë që në “Gerova” të mos vihej re se kush ishte pronari i vërtetë i tyre dhe Jason Galanis të vazhdonte ta mbante nën kontroll kompaninë “Gerova”.

Ymerit i ishte premtuar një kompenzim i mirë për të vazhduar këtë mashtrim.

Në këtë mënyrë Jason Galanis përfitoi përsëri miliona duke vazhduar ta kontrollonte tregun e shitjes së stoqeve të Gerova’s. Deri në fund të kësaj kurdisjeje ky grup përfitoi përmes mashtrimit 20 milionë dollarë.

Në anën tjetër, Ymer Shahini posedon biznes edhe në Kosovë. Ai është drejtor i njërës nga kompanitë e licencuara nga ATK’ja për fiskalizim “Printec L.L.C”. Me këtë kompani, Shahini ka fiskalizuar një pjesë të bizneseve të Kosovës.

Përveç Shahinit, një kompani që merret me ndërmjetësim në afarizmin e tregjeve financiare, në shërbimet e ndërmjetësimit për letra me vlerë dhe kontrata të mallit, nxjerrje të naftës së papërpunuar, aktivitete mbështetëse për nxjerrjen e naftës dhe gazit natyror, e ka të regjistruar në Kosovë bashkëpunëtori i Shahinit në mashtrimet në New York, Jason Galanis.

Kompania e Jason Galanis’it “Dorian & Pan Illyrian partnership L.L.C.” është regjistruar në Kosovë në vitin 2010.