Ylli më i madh afgan i muzikës, lajmërohet nga avioni i evakuimit: Jam mirë, jam gjallë

Një nga gratë e pakta që hipën në aeroplanin e evakuimit është Aryana Sayeed, një yll afgan i muzikës pop. Ajo ndau një fotografi nga aeroplani në Instagram dhe informoi ndjekësit e saj, të cilët numërojnë më shumë se një milion, se ishte mirë.

“Në një nga intervistat e mia të fundit, thashë se do të jem” ushtari i fundit që do të largohet nga atdheu”, dhe kjo është pikërisht ajo që ndodhi”, filloi teksti krahas fotografisë.

“Si rezultat i ndryshimeve të fundit që kanë ndodhur, lutem dhe shpresoj që njerëzit e mi të mrekullueshëm do të jenë në gjendje të jetojnë në paqe, pa frikë nga kamikazët dhe shpërthimet. Zemra, lutjet dhe mendimet e mia do të jenë gjithmonë me ju”, shtoi ajo.

Ajo u shkroi fansave të saj se ishte mirënjohëse për mesazhet e tyre të mbështetjes dhe lutjeve.

“Ndiej mirënjohje për secilin prej jush për urimet dhe lutjet dashamirëse të drejtuara sepse u shqetësuat për praninë time në Afganistan, pasi shumë që janë në rrezik më pak se unë tashmë janë larguar nga vendi. Unë jam mirë dhe gjallë”, shpjegoi këngëtarja.

“Pas disa netëve që nuk do t’i harroj kurrë, mbërrita në Doha, Katar, dhe tani jam duke pritur për një fluturim të mundshëm në Stamboll. Kam kaq shumë histori për të ndarë me ju, të dashurit e mi. Por tani për tani, qëndroni të sigurt dhe e bashkuar, Aryana ju do”, shkroi ajo në fund.

Gjatë sundimit taleban, pothuajse e gjithë muzika ishte e ndaluar në Afganistan. Aryana ka frymëzuar shumë gra që të ndjekin ëndrrat e tyre drejt muzikës dhe për këtë arsye ka marrë kërcënime të shumta me vdekje, disa prej të cilave janë drejtuar edhe nga talebanët.