Ylli i Kosovës: Ne i respektojmë kundërshtarët, por s’ua kemi frikën – duam pikë ndaj Anglisë

Hekuran Kryeziu e pranon se ndeshjet kualifikuese për Kampionatin Evropian 2020 do të jenë shumë më të vështira për Kosovën se ato në Ligën e Kombeve, por këmbëngul se verdhekaltrit nuk do të zmbrapsën nga sfida.

Kosova pati një ecuri historike në garën inauguruese të UEFA-s, Ligën e Kombeve, në vitin 2018, duke e fituar grupin e saj në Ligën D – nivelin më të ulët të garës – që nënkuptoi promovim në një ligë më lartë, në Ligën C, si dhe një vend në play-off për kualifikime në EURO 2020, shkruan Gazeta Express.

Por, së pari, “Dardanët” do të luajnë ndeshje kualifikuese në Grupin A kundër Bullgarisë, Republikës së Çekisë, Anglisë dhe Malit të Zi.

Kosova e nis fushatën e kualifikimeve më 25 mars, si nikoqire e Bullgarisë në “Fadil Vokrri” në kryeqytet.

Mesfushori i Zurich, Kryeziu tha në një intervistë për UEFA-n se Kosova është një vend që jeton me futbollin dhe njerëzit janë të pasionuar pas sportit më të popullarizuar në botë.

“Njerëzit në Kosovë gjithmonë përcjellin futbollin dhe ligat ndërkombëtare, dhe nëse vendi i tyre luan kundër kombëtareve të mëdha, si për shembull kundër Anglisë në kualifikimet për Euro 2020, atëherë pa dyshim është ndjenjë e madhe për ta të shohin ekipin e tyre në stadium. Deri tani i kemi pasur tri ndeshje në shtëpi dhe për secilën ndeshje biletat shiteshin brenda një ore”, ka theksuar Kryeziu.

Sa i përket kualifikimeve për Euro 2020 Kryeziu është shprehur: “Do të jetë një përvojë e re për secilin prej nesh dhe definitivisht do të jetë më e vështirë se Liga e Kombeve. Por pavarësisht se jemi një vend i vogël dhe i ri, nuk duam të fshihemi. Ne i respektojmë kundërshtarët tanë, por nuk iu frikësohemi. Ne do të përpiqemi të rrëmbejmë pikë nga kombëtare të mëdha si Anglia”.

Intervistën e plotë të Kryeziut mund ta ndiqni në videon më poshtë.