Protesta 2015

“Ylli Hoxha personalisht më ka goditur në mburojë…”, thotë pjesëtari i Njësisë Speciale të Policisë

Në seancën e së enjtes, në gjykimin ndaj aktivistëve të Lëvizjes Vetëvendosje lidhur me protestën e vitit 2015, në cilësinë e dëshmitarit është dëgjuar i dëmtuari Bedri Beqiri, i cili në ditën e protestës kishte qenë pjesë e Njësisë Speciale të Policisë së Kosovës.

Në këtë rast, Ylli Hoxha, Premton Iberdemaj, Urim Hasani, Arbër Kaqorraj dhe Armend Loshaj ngarkohen se në dhjetor të 2015-ës gjatë një proteste iu kishin shkaktuar lëndime të rënda trupore dy policëve dhe kishin dëmtuar pronat e disa institucioneve në vlerë prej 20 mijë eurosh.

Dëshmitari Beqiri tha që është pjesëtar i njësisë speciale të Policisë së Kosovës dhe se personat e akuzuar i ka takuar vetëm në ditën e protestës, 12 tetor 2015.

Ai gjithashtu shtoi se pas marrjes së informacionit se kolegët patrollues të stacionit të Policisë janë lënduar gjatë protestës, kanë intervenuar duke qenë të pajisur me helmeta dhe mburoja, të cilat sipas tij përdoren për protesta të dhunshme.

Tutje, dëshmitari deklaroi se të akuzuarit, Ylli Hoxha dhe Premton Ibërdemaj kanë qenë udhëheqës të atyre protestuesve.

“Me urdhër të Ylli Hoxhës dhe Premton Ibërdemaj, protestuesit janë ndalur dikur 2 ose 3 minuta. Gjatë qasaj kohe Ylli Hoxha personalisht më ka goditur në mburojë të cilën çdo herë ka qenë qëllimi i tij të ma merr mburojen prej dorës dhe të lëndohem më shumë, që presioni i protestuesve ishte qëllimi që të hynin në stacion. Pas kësaj kohe, turma e protestuesve ka filluar duke na sulmuar me mjete të forta me gurë. Në atë kohë prej objektit nalt, më ka ra një guri prej nalt dhe më ka lënduar në qafë. Aty e kam ni një dhimbje shumë të fortë, të cilën e kam jep maksimumin mos me e prishë kordonin e togut, me avancu përpara”, tha dëshmitari Beqiri, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Ai shtoi se pasi kanë arritur ta zhvendosim turmën tek objekti i ish-prokurorisë së shtetit, ai është dërguar në emergjencë.

Sipas tij, turma ka përdorur edhe koktej molotovi kundër tyre, ku si pasojë e tymit të zi iu është përkeqësuar edhe frymëmarrja dhe më pas kanë ndezur e dëmtuar kontejnerët të cilët ju kishin vështirsuar operimin.

Dëshmitari Beqiri deklaroi se të akuzuarit Ylli Hoxha dhe Premton Ibërdemaj kishin rol kyç në protestë.

“Në përfundim të të kuptuarit se ka rol kyç në protestë, Ylli Hoxha diku ka qenë 7-10 metra largësia prej kordonit të policisë dhe aty e ngritke dorën dhe gjatë ngritjes së dorës, për dy tre minuta asnjë guri nuk ka ra. Aty e kam kuptuar që ka rol kyç. S’bashku Premton Ibërdemaj, të cilët afërsia e dy personave protestues, ka qenë e afërt”, tha Beqiri.

Në këtë seancë prokurori Kastriot Berisha kërkoi nga dëshmitari Beqiri që ta identifikoi të akuzuarin Premton Ibërdemaj.

I dëmtuari Beqiri gjithashtu deklaroi se lëndimet që i ka pësuar, kanë ardhur nga larg, nga ana e protestuesve të cilët kanë gjuajtur me mjete të forta, gurë, por personat që e kanë goditur atë personalisht tha që nuk i di.

Avokatët e tjerë të të akuzuarve nuk kishin pyetje për dëshmitarin.

Pas pyetjes së gjyqtarit Eroll Gashi se a mund të tregojë nëse i njëjti ka parë tre të akuzuarit e tjerë, dëshmitari Beqiri deklaroi se nuk i ka parë të njëjtit atë natë.

Për seancën e ditës së sotme, është paraparë të dëgjohet edhe dëshmitari Sami Hoti, por për faktin se gjyqtari Gashi ishte i angazhuar në një seancë tjetër në sesionin e pasditës, seanca u ndërpre.

Sipas aktakuzës së përpiluar më 24 dhjetor 2015, Premton Iberdemaj, Ylli Hoxha, Uran Hasani, Arbër Kaqorraj dhe Armend Loshaj akuzohen se më 12 tetor 2015, kanë marrë pjesë në turmën e mbledhur dhe kishin gjuajtur me gurë dhe gjësende të forta në drejtim të policisë, të cilët kishin qenë duke parandaluar rrezikun ndaj qytetarëve dhe duke mbajtur rendin dhe qetësinë publike.

Në aktakuzë thuhet se të akuzuarit kishin ndezur kontejnerët e mbeturinave dhe i kishin zhvendosur për gjatë rrugës, pastaj kontejnerët e ndezur i kishin shtyrë në drejtim të kordonëve policore, kishin hedhur koktej të molotovit, ku kishin vënë zjarrin automjeteve zyrtare, kishin gjuajtur gurë dhe gjësende të forta në drejtim të Stacionit Policor Qendra, kishin thyer xhamat e dritareve, kishin dëmtuar kornizat e dritareve, kishin dëmtuar inventarin brenda zyrave, si dhe kishin dëmtuar fasadën e këtij objekti.

Sipas Prokurorisë, të akuzuarit kishin djegur një automjet zyrtar dhe kishin dëmtuar 7 automjete zyrtare, si dhe u kishin shkaktuar lëndime të rënda trupore zyrtarëve policorë Pajtim Kryeziu dhe Fahredin Veliu dhe i kishin shkaktuar dëm në vlerë prej 20 mijë euro institucioneve si: Stacionit Policor Qendra, Zyrës së Prokurorit Disiplinor, KQZ-së, Selisë së PDK-së dhe KRM ”Pastrimi”, në Prishtinë.

Me këto veprime, Prokuroria i ngarkon të akuzuarit se kanë kryer veprën penale “Pjesëmarrja në turmë që kryen vepër penale dhe huliganizëm”, nga neni 412, par.1 të Kodit Penal, vepër e cila dënohet me burgim prej gjashtë muaj deri në pesë vjet.