Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj, ka njoftuar sot se Yll Bogaj do t’i bashkohet listës së kandidatëve të partisë për zgjedhjet e ardhshme qendrore. Haradinaj ka vlerësuar lart angazhimin dhe kontributin e Bogajt brenda strukturave të AAK-së, duke theksuar se ai ka qenë pjesë e pandashme e partisë edhe në periudha të vështira.

“Yll Bogaj e kam të lehtë ta prezantoj, nuk ka askush në Aleancë që nuk e din kontributin e Yllit në shtëpinë tonë politike. Ka qëndruar me dinjitet edhe kur nuk ishim më së miri, edhe kur ishim shumë mirë,” ka shkruar Haradinaj.

Sipas tij, Prishtina ka qenë pikënisja e karrierës politike të Bogajt që në rininë e tij, kur ai ishte ndër të parët që u angazhua aktivisht në jetën politike të vendit. Bogaj është zgjedhur dy herë asamblist i AAK-së në Asamblenë Komunale të Prishtinës, duke u renditur ndër më të votuarit në listë.

Haradinaj theksoi se përfshirja e Bogajt në listën zgjedhore vjen si pjesë e përgatitjeve të AAK-së për zgjedhjet qendrore, ku partia synon të garojë me “njerëz të mirë e punëtorë”, të cilët, sipas tij, e shohin Kosovën si shtëpinë e tyre të vetme.

“Sot i bashkohet listës së njerëzve të mirë e punëtorë të Aleancës në këto zgjedhje qendrore, njerëz që Kosovën e kanë shtëpi të vetme dhe për të cilën nuk lodhen së punuari kurrë. Suksese në këtë rrugëtim, Yll,” ka përfunduar Haradinaj.

AAK pritet të publikojë në ditët në vijim listën e plotë të kandidatëve për zgjedhjet që po afrohen.