Hakim Ziyech dhe Noussair Mazraoui ishin duke agjëruar gjatë ndeshjes së mbrëmshme gjysmëfinale të Ligës së Kampionëve kundër Tottenhamit.
Shumë myslimanë – përfshirë këtu edhe dy yjet e Ajaxit, Hakim Ziyech dhe Noussair Mazraoui – janë duke e agjëruar muajin e Ramazanit.
Dyshja e klubit holandez luajti mbrëmë në gjysmëfinale të Ligës së Kampionëve kundër Tottenhamit, megjithatë agjërimin nuk e ndërprenë. Ata agjëruan edhe në fushën e lojës, deri në minutën e 24-të të ndeshjes, kur bënë iftar.
Në minutën e 24-të të ndeshjes bënë iftar dhe Ziyech e shënoi golin e dytë të Ajaxit vetëm 11 minuta pasi hëngri bukë dhe piu ujë.
Rrugëtimi i Ajaxit në këtë sezon të Ligës së Kampionëve ka qenë i jashtëzakonshëm. Përkundër që futbolli në Evropë është i zhytur në transferime shumë të shtrenjta dhe paga të larta, klubi holandez e arriti gjysmëfinalen me lojtarë të rinj dhe të lirë.
Skuadra e Erik ten Hag e mposhti edhe Juventusin, edhe Real Madridin, në rrugëtimin e tyre prej katërshes së fundit të Ligës së Kampionëve, mirëpo mbrëmë ata u eliminuan nga Tottenhami në një tjetër natë magjike në Evropë.
Tifozët e Ajaxit u dhanë kundërshtarëve të tyre duartrokitje të gjatë dhe mjaft të zhurmshme, përkundër që sapo e kishin përjetuar një ndër momentet më tronditëse për klubin e tyre të preferuar.







