Xhipat e zi të Kurtit, zyra e kryeministrit bën gati 6 mijë e 500 euro për larje të veturave

Zyra e Kryeministrit të Kosovës ka bërë gati t’i shpenzojë 6 mijë e 500 euro për larje të veturave. Për këtë çështje është shpallur edhe një tender, fituesi i të cilit do të dihet këto ditë. Sot ka qenë afati i fundit që kompanitë të aplikojnë.

Xhipat e zi të eskortës së kryeministrit të Kosovës, Albin Kurtit, tash e tutje do të dalin rrugëve më të pastër.

Për shkëlqimin e tyre është paraparë të shpenzohen goxha para të buxhetit të shtetit, shkruan Demokracia.com

Në shpalljen e tenderit që është bërë për larjen e veturave është treguar se janë ndarë 6 mijë e 500 euro.

“Larja e automjeteve zyrtare. Vlera e parashikuar e kontratës: 6,500.00. Afati kohor për fillimin dhe përfundimin e kontratës: Mars 2023 – Mars  2024. Afati i fundit për pranim të tenderëve 13.02.2023 koha 14:00:00 vendi Zyra e Kryeministrit, Objekti i Qeverisë, Sheshi “Skënderbeu””, thuhet në njoftimin e shpallur.

Zyra e Kurtit ka kërkuar shërbim të shpejtë, cilësorë dhe me prioritet gjatë shtatë ditëve të javës .

Tutje është bërë me dije se kompania fituese do të bëjë disa lloje të larjeve të veturave.

Do të ketë edhe ekstra larje, brenda dhe jashtë.

“Larja komplet me shampo (brenda dhe jashtë) e automjeteve zyrtare (7 ditë të javës ) sipas specifikimit teknik. Ekstra larje (brenda dhe jashtë, perfshirë tavanin ulëset, dyert etj) sipas specifikimit teknik.  Ujë / shampon i xhamave për automjete sipas specifikimit teknik”.

Në mënyrë që të dëshmohet se operatori ekonomik i plotëson kërkesat minimale mbi mundësitë teknike dhe/apo profesionale, operatori ekonomik duhet të prezantoj disa specifika.

“Hapësirë të mjaftueshme për larje  minimum 50 m2 dhe me minimum tre (3) ndarje  për larjen e automjeteve. Rezervuar të ujit minimum një(1) me kapacitet prej 1.000 L. Gjenerator në rast mungese të rrymës: minimum një (1) Pajisje për larje me ujë të ngrohtë:  minimum një(1)”.

Në dosjen e tenderit është treguar se kompania fituese do të bëjë 1200 larje komplet me shampo, 30 ekstra larje dhe 1000 Ujë / shampon i xhamave për automjete.